Kurti: Gazetarëve nga Ukraina do t’u mundësojmë të punojnë nga distanca

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 150.000 euro në emër të pranimit në Kosovë të 20 gazetarëve nga Ukraina.
Në një komunikatë për media thuhet se këto mjete do të përdoren me qëllim të mbulimit të shpenzimeve që lidhen me qëndrimin e këtyre gazetarëve në Kosovë për një periudhë deri në 6 muaj.
Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve gra.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se Kosova do t’u mundësoj atyre të punojnë nga distanca.
“Qeveria jonë sapo vendosi të strehojë 20 gazetarë nga Ukraina në Kosovë. Ata u detyruan të largoheshin nga atdheu i tyre nga pushtimi rus. Në mbështetje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, në bashkëpunim me @EFJEUROPE & #ECPMF, ne do t’u mundësojmë atyre të punojnë nga distanca”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Ndryshe, nuk ka asnjë të dhënë se kur do të mbërrijnë gazetarët në Kosovë, e cila nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e BE-së./21Media

Back to top button