Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti, Gërvalla e Rexhepi përkujtuan viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me dy zëvendëskryeministre në detyrë, Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, morën pjesë sot në ceremoninë përkujtimore për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

“8,372 burra dhe djem u vranë në mënyrë sistematike. Ekzekutuar me gjakftohtësi, varrosur në qindra varreza masive, zhvarrosur dhe rivarrosur për të fshehur gjurmët e krimit. Asnjë nuk u kursye. Asnjë nuk u kthye. Evropa nuk kishte parë një krim të tillë barbar që nga viti 1945,” tha Gërvalla në mesazhin e saj”, thuhet në njoftime MPJD-së.

Ajo kujtoi se shumë nga të mbijetuarit e gjenocidit ishin fëmijë kur humbën baballarët, vëllezërit dhe xhaxhallarët e tyre, ndërsa trupat e mbi 1,000 viktimave ende nuk janë gjetur.

“11 Korriku i vitit 1995 shënon jo vetëm rënien e Srebrenicës, por edhe fillimin e gjenocidit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Brenda pak ditësh, 8,372 jetë u shuan në një gjenocid të planifikuar për të zhdukur një popullsi,” nënvizoi ajo, theksohet tutje në njoftim.

“Pjesëmarrja e kryeministrit në detyrë, Kurti dhe ministres në detyrë, Gërvalla në këtë përkujtim shtetëror tregon qëndrimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për respektimin e së vërtetës historike, nderimin e viktimave dhe mbrojtjen e parimeve të drejtësisë ndërkombëtare. Kosova qëndron në solidaritet të plotë me popullin boshnjak, si dhe me familjet e 8,372 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MPJD-së.

“Srebrenica është një vijë ndarëse mes civilizimit dhe mohimit të tij. Ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot, janë po ata që do të heshtnin para tij edhe nesër,” përfundoi Gërvalla.

Për Republikën e Kosovës, nderimi dhe përkujtimi i viktimave të Srebrenicës mbetet një obligim shtetëror, moral dhe njerëzor, si dhe një përkushtim i vazhdueshëm për parandalimin e mohimit të gjenocidit dhe luftimin e çdo tendence për të relativizuar krimet e së kaluarës.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button