Kurti: Gëzuar sot, duke kujtuar ata që sakrifikuan

“Shpallja e 17 shkurtit 2008 është vulosur më 22 korrik 2010 me Opinionin e GjND-së”

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Kurti përmes një postimi në facebook është shprehur se shpallja e Pavarësisë është vulosur më 22 korrik 2010 me Opinionin e GjND-së.

Sipas Kurtit, nuk është bërë as çka është dashur e as çka ka qenë e mundur.

“Urime Dita e Pavarësisë së Kosovës! Shpallja e 17 shkurtit 2008 është vulosur më 22 korrik 2010 me Opinionin e GjND-së. Ndërkohë, nuk është bërë as çka është dashur e as çka ka qenë e mundur. Dhe, e dimë, Mitrovica mbetet e ndarë, koncesionet e Planit të Ahtisaarit janë ende aty, gjersa papunësia e qytetarëve dhe korrupsioni i pushtetarëve janë shtuar porsi ditët. Mirëpo, gëzuar sot! Duke kujtuar ata që sakrifikuan dhe duke dëshiruar atë që na takon”, ka shkruar Kurti në facebook.

Në 11 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka numëruar 11 mangësitë, që sipas VV-së kanë ndodhur në vendin tonë.

Kosova është shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjatë një seance solemne, ku deklaratën e pavarësisë e ka lexuar ish-kryeministri, Hashim Thaçi. Deklarata e Pavarësisë është miratua nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës, ku kanë munguar vetëm deputetët e komunitet serb./21Media

Back to top button