Kurti: Hartimi i ligjit dhe statutit të Fondit Sovran kërkon kohë

Grupi i ekspertëve është mbledhur sot për të hartuar ligjin dhe statutin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës. Dy dokumentet do të themelojnë dhe funksionalizojnë Fondin Sovran, si organizatë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas komunikatës për media, kryeministri Albin Kurti, që ishte pjesë e kësaj punëtorie, tha se hartimi i ligjit dhe statutit të Fondit kërkon kohë, përkushtim dhe dedikim teksa i falënderoi grupin e ekspertëve për gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Bëhet e ditur se gjatë punëtorisë u trajtua puna e deritanishme dhe u diskutuan planet kohore për draftet e para.
Qeveria e vendit, në mbledhjes e 81-të të saj kishte miratuar Koncept Dokumentin e Fondit Sovran i cili përcakton qëllimet, funksionin dhe mandatet e Fondit, si dhe parasheh gjithë procesin që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit.
Ky Fond do të administrojë ndërmarrje e asete të Republikës me potencial zhvillimor, duke përmirësuar qeverisjen dhe duke rritur vlerën e tyre, me synim zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve./21Media

Back to top button