Kurti i dërgon letër ngushëllimi Erdoganit

Përmes një letre drejtuar Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, i ka shprehur ngushëllime atij dhe familjarëve të viktimave të tërmetit që goditi sot Turqinë, kurse të lënduarve u ka uruar shërim sa më të shpejtë.
Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se në letër, më tej thuhet se në këtë kohë të vështirë, Kosova është pranë Turqisë dhe popullit turk dhe është e gatshme, mbi bazën e kapaciteteve të saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe ekipet mjekësore, që të ndihmojë në kalimin e kësaj tragjedie.
Kujtomë se sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm.
Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka shkuar në mbi 2 mijë e 700 pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë që goditi Turqinë jugore herët të hënën./21Media

Back to top button