Kurti: Jemi të përkushtuar për mjedis mbrojtës për fëmijët

Në shënimin e Ditës së Fëmijëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur përkushtimin dhe angazhimin e tij për të rritur mirëqenien e fëmijëve, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Gjatë takimit të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, ku morën pjesë përfaqësues qeveritar e organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shefi i ekzekutivit ka theksuar se mirëqenia e fëmijëve është gurthemel për një shoqëri të drejtë dhe prosperuese.

Kurti ka shprehur përkushtimin e qeverisës që drejton ai për të krijuar mjedis mbrojtës për secilin fëmijë.

“Për të ritheksuar përkushtimin e qeverisë së Kosovës për mirëqenien e fëmijëve. Investimin në mirëqenien e fëmijëve tanë nuk është obligim etik dhe ligjor, por është edhe gurthemeli për shoqëri të drejtë dhe prosperuese. Të drejtat e fëmijëve janë parime themelore që kërkojnë përherë angazhimin tonë…të drejtat e fëmijëve janë edhe përgjegjësi kolektive e gjithë shoqërisë. Andaj, si institucionet, organizata, prindër edukator ne duhet të punojmë krah për krah duke i bashkuar forcat me dijeni dhe më mirë dhe më lehtë të bëjmë të mundur lehtësimin e të gjitha të drejtave të fëmijëve duke mbrojtur secilin prej tyre. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për mjedis mbrojtës për fëmijët me synim rritjen e mirëqenies, përmirësimin e shëndetit dhe rritjen e cilësisë së arsimit”, theksoi Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti ka thënë se po largojnë barrierat për arsimin e fëmijëve derisa edhe në aspektin legjislativ ka shprehur avancimin me ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme.

“Po ecim drejt përmbushjes së premtimit tonë për angazhimin e 500 asistentëve të rinj për të ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuara e nevoja të veçanta duke pas parasysh që një gjë e tillë nuk ka ekzistuar fare më herët. Po angazhohemi edhe për rritjen e cilësisë së arsimit duke njohur forcën e tij transformuese….Po ashtu ka filluar zbatimi i planit dinamik të punës që i dedikohet ngritjes të kapaciteteve institucionale dhe hartimit i raportit shtetëror për zbatim të konventës për të drejtat e fëmijëve. Kësisoj Kosova ka marr përsipër përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të cilat sigurojnë realizimin e të gjitha të drejtave themelore të fëmijëve në Kosovë“, ka thënë Kurti.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së kryeministrit, Habit Hajredini, ka thënë se është obligim dhe angazhim ditore që fëmijët të mbrohen.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka mobilizuar të gjitha resurset për zbatimin e ligjit për Fëmijët.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit, Qeveria ka mobilizuar të gjitha resurset e saj për zbatim të ligjit. Gjithashtu, kohët e fundit Zyra e Kryeministrit bashkë me MASHT kemi publikuar ligjin për mbrojtjen e fëmijët të jetë më miqësor dhe më i afërt në gjuhën rome, turke, boshnjake, serbe dhe shqipe. Fëmijët kërkojmë t’i duam, t’i mbrojmë dhe të respektojmë. Ky është obligimi jonë dhe angazhimi jonë ditor”, theksoi ai.

Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve është krijuar për të komunikuar dhe koordinuar politikat, programet dhe proceset në lidhje me çështjen e të drejtave të fëmijëve, brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të lehtësuar realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe për t’iu ofruar atyre mundësi të barabartë për pjesëmarrje aktive në shoqëri.

Dita e Fëmijëve në Kosovë do të shënohet me një sërë aktivitetesh që promovojmë të drejtat e fëmijëve.

Po sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do t’i takojnë fëmijë nga të gjitha komunat e Kosovës

Back to top button