Kurti: Ka nevojë për veprime të guximshme të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor

 
Në takimin vjetor të Samitit të Berlinit, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka thënë se ka nevojë për veprime të guximshme të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për të ngritur nivelin e bashkëpunimit rajonal që të përshpejtohen reformat.
Kurti ka theksuar se Kosova është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe më shumë integrim ekonomik.
“Procesi i Berlinit u krijua në sfondin e sfidave gjeopolitike dhe pasigurive në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur perspektiva e rajonit për anëtarësimin në BE dukej e largët. Për fat të keq, shtatë vjet më vonë situata nuk ka ndryshuar shumë. Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat. Është për keqardhje që nuk pati përparim në marrëveshjet e negociuara me lehtësimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Disa palë ende po shtyjnë gjuhë që nuk është në përputhje me realitetin dhe as me frymën e Procesit të Berlinit. Kosova është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe më shumë integrim ekonomik, bazuar në njohjen e realitetit dhe të vërtetës, të drejtave të ekuilibruara të pakicave në të gjithë rajonin, përballjes me të kaluarën drejt pajtimit dhe me qytetarët si përfituesit përfundimtarë të dialogut.Duke ditur që korniza aktuale rajonale nuk mund të na përgatisë për pranimin në BE, në Tiranë unë kam propozuar që të avancojmë CEFTA-n në SEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore) bazuar në modelin EFTA – EEA që do të lartësonte të gjithë rajonin dhe do të kapërcente pengesat aktuale. Ne shpresojmë që Komisioni Evropian do ta konsiderojë seriozisht këtë propozim dhe të fillojë një dialog që do të çonte në rezultate konkrete”, ka thënë Kurti.
Në takimin e ftuar nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, morën pjesë kryeministra të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Samiti u zhvillua në katër sesione të ndara ku u diskutua për të arriturat e Procesit të Berlinit bashkëpunimin rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për hapat e ardhshëm në këtë proces.
Në sesionin e parë folën Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Emir Djikic, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s.
Kurti mbajti fjalim në sesionin e dytë të samitit, ku folën edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Në sesionin e tretë të samitit diskutuan Sebastian Kurz, Kancelar Federal i Austrisë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë, Mario Draghi, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, kryeministri i Polonisë, dr. Mateusz Morawiecki, kryeministri i Bullgarisë, Stefan Yanev, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.
Në sesionin e katërt diskutuan Olivér Várhelyi, Komisioner për fqinjësi e zgjerim të Komisionit Evropian, Albert Hani, Sekretar i përgjithshëm i Zyrës së Bashkëpunimit të të Rinjve të Rajonit, Mathias Cormann, Sekretar i përgjithshëm i OECD, dr. Hans Kluge, Drejtor rajonal për Evropë OBSH, dr. Werner Hoyer, President i EIB, Odile Renaud-Basso, President i EBRD, Rolf Wenzel, Guvernator i CEB, Christian Schmidt, Përfaqësues i lartë për Bosnje e Herzegovinë./21Media
 

Back to top button