Kurti: Kërkesat dhe kriteret e BE-së do t’i trajtojmë me seriozitet

 

Sot është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian i Qeverisë së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurtin.

I pari i Qeverisë ka thënë se kërkesat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian do të trajtohen me seriozitet nga ana e Qeverisë.

“Kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në BE-në për vendin tonë në kuptimin e standardeve që duhen arritur dhe plotësuar,  të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe përkushtim e nevojshëm. Në aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon ligji dhe drejtësia, standardet e BE-së duhet të jenë udhërrëfyes. Prandaj, agjendën e integrimit evropian duhet ta shohim si pjesë integruese të agjendës qeveritare dhe shtetërore”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se është përgjegjësi e Kosovës të përmbushë kriteret dhe standardet që kërkohen, ndërsa shtoi se do të kërkojë përgjegjësi nga ministrat për reformat konkrete që kërkohen të zbatohen.

Sipas tij një nga përfitimet direkte me BE-në është “pasqyrimi i punës që na bëhet nga BE-ja”.

Koordinimi i këtij procesi është vendosur në përgjegjësinë e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi, i cili tha se tri shtyllat në të cilat bazohet agjenda e reformave evropiane ERA II janë të njëjta me ato të prioritete që ka pasur Qeveria Kurti 2 në fushatë dhe në fillim të mandatit qeverisës.

Bislimi ka përmendur se prioriteti i parë është sundimi i ligjit për luftimin e krimit dhe korrupsionit, pastaj reforma e administratës publike, mbrojtja e lirive themelore të qytetarëve, reforma zgjedhore dhe ekonomia.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka përmendur edhe prioritetet e tjera, për forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritja e ekonomike, mbrojtja e ambientit, reforma për financat publike.

Po ashtu, prioritet sipas tij, mbetet forcimi i mekanizmit për një konkurrencë të drejtë në ekonomi, luftimi i informalitetit si dhe rimëkëmbja ekonomike e shkaktuar si pasojë e pandemisë COVID-19.21Media

Back to top button