Kurti kërkon durim për koeficientin e pagave dhe ministrin e ri të Shëndetësisë

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri Albin Kurti kërkoi durim për të publikuar koeficientin për pagat, ligji i të cilës kaloi në lexim të dytë ditë më parë e që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Ai tha se në janar do ta publikojnë koeficientin.
Duke folur për Ligjin për paga, Kurti tha se mori kohë më shumë se që kishin dëshiruar por janë kujdesur që të mos ketë ndonjë të metë dhe të rrëzohet nga gjykata siç është vepruar në të kaluarën.
“Ne nuk e kemi pasur si pikënisje vlerën e koeficientit por tërësinë e buxhetit. Në muajin janar do të vendoset, sigurisht dhe pas 1 shkurtit fillojnë pagat me ligjin e pagave. Ne nuk mundemi të përcaktojmë koeficientin në Ligjin e pagave sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar, ju po kërkoni tash përafërsisht, sot më 24 dhjetor, unë po kërkoj pak durim prej jush dhe jo përafërsisht por saktësisht në janar 2023”, tha Kurti.
Kurti: Emri i ministrit të ri të Shëndetësisë, para Vitit të Ri
Emri i ministrit të ri të Shëndetësisë do të bëhet i ditur para Vitit të Ri. Kështu bëri të ditur sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Duhet ta marrim një vendim lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht emrin e ministres apo ministrit aty. Këtë do ta bëjmë para Vitit të Ri, madje qysh në fillim të javës së ardhshme”, tha Kurti.
Janë bërë gati 80 ditë qëkur kjo ministri udhëhiqet nga një ushtruese e detyrës së ministres, pas dorëheqjes së Rifat Latifit.

Kurti lavdërohet për përballjen me krizën energjetike
Masat e marra nga Qeveria për krizën energjetike kanë dhënë efekt deri tash, kështu tha sot Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, teksa ka apeluar që kursimi nga qytetarët të intensifikohen për muajin janar e shkurt.
Kurti tutje ka shtuar se me masat e marra për krizën energjetike kanë ulur me 8 për qind konsumin e energjisë elektrike në krahasim me vitin e kaluar.

“Me subvencionimin e faturave për të gjithë, e kemi evituar rritjen e çmimit për familjen, komunat e institucionet publike që konsumojnë 800 kWh. Kemi mundësuar çmime më të lira se në rajon. Më subvencionimin shtesë për ata që kursejnë kemi ndihmuar mbi 161 mijë familje në shtator, mbi 212 mijë familje në muajin tetor. Është rritur numri atyre që kursejnë muaj pas muaji. Kemi bërë shpërblim për ata që kursejnë. Me këto masa, kemi balancuar nevojën e qytetarëve për të evituar rritjen e çmimit të energjisë dhe kemi vepruar në përputhje me strategjinë e energjisë”, ka thënë Kurti./21Media
Back to top button