Kurti – Komandantit të KFOR-it: Qeveria nuk mund të ndikojë në vendimet e BQK-së

(Lajm i përditësuar)
Zyra Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me njoftim lidhru me takimin e Kurti me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaș.
Bëhet e ditur se ata biseduar për situatën e sigurisë në vend. Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Po ashtu njoftohet se në takim u fol edhe për rregulloren e re të Bankës Qendrore.
“ Kryeministri tha se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj. Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre. “, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se Kryeministri foli edhe për rëndësinë e luftimit të pastrimit të parave dhe kriminalitetit dhe tha se Kosova EURO-n si valutë e ka marrë nga Bashkimi Evropian.
“Qeveria mbështet zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë vendin. Përveçse për ligjshmëri e rregull, kujdeset edhe për paqe dhe siguri. Mirëqenia dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës është prioritet i Qeverisë, prandaj edhe do të përkujdeset që qytetarët të mos ndikohen negativisht nga vendimet e institucioneve. Në këtë drejtim çdo ankesë do të trajtohet me seriozitet dhe adresohet me shpejtësi.”, përfundon njoftimi.
Zhvillimet e fundit të sigurisë, takohen Kurti e Komandanti i KFOR-it
Komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Ozcan Ulutas është takuar sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
KFOR-i njoftoi se ata diskutuan rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë.
“Komandanti i KFOR-it theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv në të gjithë institucionet e sigurisë, duke përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in.”, thuhet në njoftim.
“Komandanti konfirmoi se KFOR-i po e vëzhgon situatën nga afër dhe mbetet i gatshëm të veprojë në përputhje me mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, përfundon njoftimi i KFOR-it.
Kujtojmë se pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur drojën se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja./21Media