Kurti: Kosova e gatshme t’i fuqizojë më tej raportet me SHBA-në në fushën e mbrojtjes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sonte takoi zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, të shoqëruar nga e Ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, në një darkë pune të shtruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur Kryeministria.
Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ishin ndër temat kyçe të diskutimit.
Kurti ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar edhe më tej raportet me ShBA-të në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtjes, thekson njoftimi.
“Kryeministri Kurti e njoftoi zëvendësndihmëssekretarin Baker me zhvillimet dhe progresin në vend, investimet në mbrojtje përgjatë këtij mandati dhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve. Ai e falënderoi z. Baker dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike që i kanë dhënë Republikës së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës përgjatë viteve, si dhe për rolin e saj të vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen”, thuhet në njoftim.
Në këtë darkë, të pranishëm ishin edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.