​Kryeministri i Holandës dhe i Luksemburgut kërkojnë uljen e tensioneve në veri

(Lajm i përditësuar)


Kurti: Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se  Kosova është e interesuar për marrëdhënie “të mira fqinjësore” me Serbinë, pas takimit që pati me dy kryeministrat e BENELUX-it.

“Në lidhje me dialogun për normalizimin e  marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte”, tha Kurti.

I pari i Qeverisë tha se nga dyshja ka kërkuar që Kosova të ndihmohet për anëtarësim në NATO dhe në BE.

“Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm ëpr shtetin dhe shoqërinë tonë, por edhe për Bashkimin Evropian që të shtyjnë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, shtoi Kurti.


Kryeministri i Luksemburgut: Nuk do të ketë fitues nëse ka konflikte

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel , ka thënë se nuk do të ketë fitues nëse do të ketë konflikt, duke folur pas takimit me të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe homologun e tij belg, Mark Rutte.

Bettel tha se mes Kosovës dhe Serbisë nevojitet dialog i hapur dhe se palët duhet t’i përmbahen udhërrëfyesit të Bashkimit Evropian.

“Kur është planifikuar ky udhëtim nuk e kemi ditur që do të ketë tensione. Ne tentojmë të ndërtojmë ura. Ne dje ishim në Beograd dhe sot jemi në Prishtinë. Është e rëndësishme për ne që e dimë që ka udhërrëfyes për dialog e ai është Lajçaku. Ne duhet të largojmë çdo mundësi për kriza të mundshme të cilat më së shumti i vuan populli. Ju mund të llogarisni në ne. Për ne është e rëndësishme të besojmë në punën e lehtësuesve të BE-së. Është mirë të ketë dialog të hapur”, tha Bettel.

“Ne si politikanë marrim vendime, por populli i vuan pasojat”, shtoi ai.


Holanda përkrah Kosovën e Serbinë drejt normalizimit të raporteve

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, deklaroi se Holanda Kosovën dhe Serbinë në rrugën e dialogut, me qëllim të normalizimit të raporteve.

“Sot i kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve mes Kosovë dhe Serbisë. Holanda dhe Luksemburgu tentojnë të normalizojnë situatën drejt dialogut dhe deeskalojnë situatën, t’i normalizojnë raportet mes dy shteteve. Shpresoj që kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen në rajon, por edhe për prosperitetin drejt integrimit në BE”, deklaroi ai në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ai shtoi se Hiolanda është e gatshëm ta ndihomojë Kosovën.

“Ne shohim mundësi për bashkëpunime më të afërta ekonomike me Kosovën dhe Holanda është investitori i tretë më i madhi në Kosovë. Mund të bëjmë edhe më shumë, të punojmë për çështjen e migracionit, për të bërë më shumë në fushën e liberalizimit të vizave.. I përkrahim përpjekjet e Kosovës për vizat dhe jam i sigurt se shumë hapa do të bëhen. Në gjithë Ballkanin Perëndimor jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës”, deklaroi Rutte.
Route bëri thirrje për shtensionim të situatës në veri.
“Duhet të implementohet hap pas hapi dhe në mënyrë të përpiktë dhe çështja është që në udhërrëfyesin evropian, shtensionimet të jenë nga të dyja palët. Jam optimist që mendjet e ftohta të mbizotërojnë, të gjithë dëshirojnë shtensionim, është interes i të gjithëve për të bërë këtë. Nëse mund të ndihmojmë jemi këtu…Jam i sigurt që do të mbërrijmë atje, por s’kemi arritur ende”, shtoi ai.


Krejt çka u tha në takimin e Osmanit me Rutte dhe Bettel 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.

Takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët.

Presidentja Osmani falënderoi Holandën dhe Luksemburgun për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënvizoi vlerat dhe qëllimet e përbashkëta që lidhin të tri vendet evropiane së bashku.

Më tej, Presidentja Osmani theksoi se  aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, ndaj shtroi  nevojën e mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata.

Një pjesë e diskutimit me dy kryeministrat u fokusua në situatën aktuale të dhe të sigurisë në veriun e vendit.

Presidentja Osmani tha se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të  shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar.

Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër.

Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

Takimi i Presidentes Osmani me kryeministrat Rutte dhe Bettel u përmbyll me rikonfirmimin e përkushtimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit, nxitjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon e më gjerë.


​Kurti takon kryeministrat Rutte dhe Bettel

Kryeministri Albin Kurti ka filluar takimin me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.

Shefi i ekzekutivit ka pritur të njëjtit me nderime shtetërore në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Pas takimit do të ketë konferencë për media.

Rutte edhe Bettel janë takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.


​Osmani pret në takim kryeministrat Rutte dhe Bettel

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po pret në takim kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.

Mediet lejohet të marrin vetëm pamje ne fillim të takimit.

Më pas, Rutte edhe Bettel do të takohen me kryeministrin Albin Kurti, ku do të ketë konferencë për media.


Kurti i pret në aeroport kryeministrat e BENELUX-it

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në mëngjes kryeministrat e Belgjikës dhe të Luksemburgut, në aeroportin “Adem Jashari”.

Pritja në aeroport u bë nga ora 07:55.

Ndërkohë, nga ora 09:15 deri në orën 9:20, Kurti do të përshëndetë të dy homologët para ndërtesës së Qeverisë, ndërsa pas kësaj ata do të mbajnë takim në zyrën e kryeministrit.

Tre kryeministrat më pas do të mbajnë konferencë të përbashkët për media, sipas agjendës së publikuar nga Zyra për Media e Qeverisë.


Kryeministri i Holandës dhe ai i Luksemburgut qëndrojnë sot në Kosovë

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel do të vizitojnë sot Kosovën.

Vizita e dy kryeministrave evropianë sipas gazetës holandeze, Haarlems Dagblad lidhet me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

Përveç Kosovës, kryeministrat evropianë kanë vizituar edhe Serbinë./21Media

Back to top button