Kurti: Kosova ka shumë për t’i ofruar Bashkimit Evropian për siguri e partneritet

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova udhëheq në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për kah zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, duke theksuar se në vitet e fundit është forcuar në shumë rrafshe.

Kurti ka deklaruar të martën në Samitin “Shtetet e Ballkanit 2024” se Kosova është pozicionuar në rritje për të ardhmen, e përparim ka shënuar investimet e huaja direkte, në sektorin e kulturës, sportit, shëndetësisë dhe të arsimit.

“Kosova po udhëheq për rritje ekonomike dhe sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Pritet të ketë rritje të investimeve…Kosova ka shumë për t’i ofruar Bashkimit Evropian për siguri e partneritet, duke e forcuar demokracinë, zhvillimin ekonomik e mund të krijojë një rajon që është i zhvilluar dhe lulëzon”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Kurti ka shtuar se sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor është tejkalimi i paragjykimi historike, por që siç ka thënë ai, këto vende kanë dëshmuar se mund të arrijnë pajtim e dialog.

“Komunitetet në Kosovë po bashkohen të ndërtojnë një të ardhmen të mirë e ky shpirt i bashkëpunimit do të vazhdojë të lulëzojë. Kosova është e pozicionuar për rritje në të ardhmen”, u shpreh ai.


Sot mbahet samiti “The Western Balkans 2024”

Në Prishtinë sot mbahet samiti “The Western Balkans 2024”.

Në këtë samit pritet të marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, George Robertson ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Jeffrey Hovenier ambasador i SHBA-së në Kosovë, Tomas Szunyog shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Matteo Renzi ish-kryeministri i Italisë, Liburn Aliu ministër i Mjedisit.

Gjithashtu, pjesëmarrës do të jenë edhe ministra tjerë të qeverisë së Kosovës, si dhe biznesmen të ndryshëm.

Back to top button