Kurti me emisarin norvegjez diskutojnë për bashkëpunim në siguri e mbrojtje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Eirik Nestås Mathisen.

Kurti vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Norvegjisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit, si dhe në proceset integruese të vendit. Ai veçoi mbështetjen aktive të Norvegjisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si një shembull i këtij angazhimi.

Sipas njoftimit për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë takimit ata kanë diskutuar për mundësitë e forcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe thellimit të bashkëpunimit në fusha të rëndësishme si: mbrojtja dhe siguria, energjia dhe teknologjia e informacionit.

“Gjatë takimit, palët diskutuan për mundësitë e forcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe thellimit të bashkëpunimit në fusha të rëndësishme si: mbrojtja dhe siguria, energjia dhe teknologjia e informacionit. Gjithashtu, në takim u trajtuan edhe çështje rajonale dhe tema të tjera me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në njoftim thuhet se kryeministri në detyrë, falënderoi Norvegjinë për rolin e saj në arritjen e Marrëveshjes Tregtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, e cila, sipas qeverisë, krijon mundësi të reja për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe raporteve tregtare. /21Media

Back to top button