Kurti merr pjesë në hapjen e Seminarit të Mësimdhënësve të Mërgatës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen hapëse të Seminarit të 17-të të Mësimdhënësve të Mërgatës.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media ku thuhet se në fjalën e tij, kryeministri theksoi rëndësinë e punës dhe përkushtimit të mësimdhënësve në mësimin e gjuhës amtare dhe të njohurive mbi kulturën tonë te fëmijët e diasporës.

“Ne flasim shpeshherë për diasporën, jemi falënderues për ndihmesën që ka dhënë për atdheun, sidomos në kohën për çlirimin e Kosovës. Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë organizojnë shpesh takime me pjesëtarë të shquar të diasporës dhe të dy shtetet kanë institucione që merren posaçërisht për të mbajtur gjallë interesimin e diasporës për vendin e origjinës. Mirëpo, në të vërtetë puna jonë në atdhe për të fuqizuar lidhjet me diasporën nuk do të jepte shumë fryte, po të mos ishit ju, që jetoni e punoni në gjirin e komuniteteve shqiptare të shpërndara në Evropë, Amerikë të Veriut dhe në pjesë të tjera të botës.” u shpreh Kurti.

Tutje bëhet e ditur se Kurti vlerësoi rolin e arsimtarëve si misionarë të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në botë.

“Roli juaj sot nuk është më i pakët nga ai i rilindasve tanë para më shumë sesa një shekulli. Nëse rilindësit zhvilluan shkrimin shqip dhe hodhën farat dhe ndihmuan që të çelnin sythat e parë të kulturës sonë kombëtare në diasporën e atëhershme, dhe më pas e sollën atë që të lulëzonte në atdhe, ju me anë të veprimtarive, sikurse kjo e sotmja, përgatiteni më mirë për të përcjellë filiza të shqiptarisë në dhe të huaj që edhe aty të gjallojë kultura shqiptare, krahas kulturave vendase. Ky është një proces dialektik, diasporë-atdhe-diasporë, që do të jetë shumë i rëndësishëm edhe gjatë shekullit tonë të globalizimeve, integrimeve politike dhe afirmimit të kulturave kombëtare.” tha kreu i shtetit.

Kurti, duke përmendur disa prej të arriturave të kontributit dhe bashkëpunimit të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë drejtim, shprehu rëndësinë e ruajtjes dhe fuqizimit të identitetit shqiptar në diasporë, si një detyrë kombëtare.

“Në detyrën time si Kryeministër i Republikës së Kosovës, si drejtues i qeverisë, angazhohem që mbështetja e institucioneve tona të mos mungojë asnjëherë dhe të vijë duke u rritur. Ju uroj një seminar të suksesshëm në Prishtinë dhe arritje më të mëdha, gjithnjë e më të mëdha në detyrën tuaj fisnike!” përfundoi Kurti./21Media

Back to top button