Kurti në përurimin e “Labour Friends of Kosova”: Kjo nismë do t’i fuqizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, mbrëmë ka marrë pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova” ose Miqtë Laburistë të Kosovës.
Kryeministri Kurti u shpreh i bindur se kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Duke folur për raportet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve, ai veçoi personalitetet e shquara nga kultura dhe sporti, si Dua Lipa e Rita Ora, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri gjatë kohës sa luanin në Premier Ligën e Futbollit britanik, por edhe personalitete të tjera veprimtaria e të cilëve ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona”, thuhet në komunikatën për media të kryeministrisë.
Tutje Kurti ka përmendur edhe personalitete të tjera si Esat Kryeziun dhe Gani Beg Kryeziun.
“Ndër ta është Esat Kryeziu i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe i cili pas vdekjes së tij, është nderuar nga tanimë e ndjera Mbretëresha Elizabeth me pesë medalje për shërbimin e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave aleate. Një tjetër personalitet është ai i heroit kombëtar shqiptar nga Kosova, Gani beg Kryeziu që luftoi kundër fashizmit përkrah ushtarëve britanikë, në po të njëjtën Luftë, dhe që ishte anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale të formuar nga ministri i atëhershëm i Punës për Luftën Ekonomike dhe më vonë kancelari, Hugh Dalton”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka përmendur edhe diasporën ku është shprehur se ata janë larguar nga vendi si rezultat i fushatës gjenocidiale të Serbisë në vitet e 90-ta dhe janë integruar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai shtoi se ky komunitet përfshin jo vetëm emrat e famshëm, por edhe njerëz të suksesshëm në shumë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë.
Kurti theksoi edhe rolin e rëndësishëm që Partia Laburiste ka luajtur në momente kritike për popullin dhe shtetin e Kosovës, ku në rastin e intervenimit të NATO-s në vitin 1999 të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar ashtu edhe me rastin e njohjes së pavarësisë të shpallur në vitin 2008 nga Kosova, qeveria britanike udhëhiqej nga laburistët, përkatësisht nga ish-kryeministri Tony Blair dhe ish-kryeministri Gordon Brown.
“Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, u shpreh kryeministri Kurti.
Të pranishëm në këtë ngjarje mes shumë personalitetesh ishin edhe baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Wakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Wayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Twist, Gill Furniss, Anneliese Dodds e cila është dhe Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.
“Labour Friends of Kosova” është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar./21Media