Kurti nderon sakrificën e heronjve Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe me rastin e 27-vjetorit të rënies së heroit Ilir Konushevci dhe dëshmorit Hazir Malaj, në varrezat e Velanisë në kryeqytet, raporton KosovaPress.

Kurti nderoi sakrificën e heronjve të luftës çlirimtare derisa theksoi rolin heroik të Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt, të cilët ranë 27 vite më parë.

Ai e cilësoi Ilir Konushevcin si pasardhës të denjë të Zahir Pajazitit dhe “shpirtin e UÇK-së”, për shkak të angazhimit të tij në logjistikë dhe furnizim në kohë të vështira.

Kurti theksoi se Ilir Konushevci ishte luftëtar edhe para shpërthimit të luftës çlirimtare dhe se pa njerëz si ai, Kosova nuk do ta kishte pasur as luftën çlirimtare, e as lirinë dhe shtetin që gëzon sot.

“Jemi këtu tek varret e heronjve tanë, Ilir Konushevcit- Mërgimit dhe të doktor Hazir Malës të cilët para 27 vjetëve ranë heroikisht duke sjellë armatim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ilir Konushevci ishte pasardhës i denjë i Zahir Pajazitit dhe ishte shpirti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës meqenëse ishte në krye të logjistikës dhe furnizimit në një kohë të vështirë kur UCK-ja po përballej me një ushtri e cila ishte e pajisur me armatim dhe municion. Me vullnetin e luftëtarëve të pa epur si puna e Ilir Konushevcit – Mergimit edhe ajo që ishte e pa imagjinueshme ishte e mundur…Duhet ta kujtojmë faktin se kishim luftëtar e çlirimtar edhe para luftës çlirimtare. Edhe Ilir Konushevci-Mërgimi ishte i tillë. Pa njerëz si Ilir nuk do te mund ta kishim luftën çlirimtare, pa të cilën nuk mund ta kishim as lirinë e as shtetin që i gëzojmë sot”, tha kryeministri në detyrë.

Kurti shpreh mirënjohje dhe respekt për dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Mala, duke theksuar kontributin dhe sakrificën e tyre për lirinë e vendit.

Ai lidh këtë nderim me angazhimin aktual për të vazhduar rrugën e tyre drejt zhvillimit të një Kosove të pavarur dhe demokratike, duke theksuar përgjegjësinë qytetare dhe institucionale për të ndërtuar të ardhmen mbi bazat që ata lanë.

“Homazhet tona që i bëjmë tek varret e dëshmoreve, të martirëve gjatë kësaj pranvere e në veçanti sot tek Ilir Konushevci, dhe doktor Hazir Mala shprehim mirënjohjen tonë të thellë, falënderimin e pafund për punën, kontributin, rolin dhe sakrificën e tyre. Por, në të njëjtën kohë shprehim edhe përkushtimin tonë qytetar, kombëtar, shoqëror e institucional që të vazhdojmë rrugën e tyre e cila sot e ka kuptimin e një republike të pavarur demokratike me zhvillim e përparim”, potencoi Kurti.

Ndër të tjera, Kurti potencoi se ushtria e Kosovë sot është më e pajisur dhe më e madhe se kurdoherë më parë. Ai theksoi se në kufi me Serbinë ka më shumë forca të pranishme se asnjëherë më parë.

“Ushtria e Kosovës sot është më e pajisur dhe më e madhe se kurdoherë me parë, prandaj edhe me gëzim themi që krenaria jonë për Ilir Konushevcin e Hazir Malën në të njëjtën kohë është edhe realitet i ri sepse Kosova anë e mbanë, posaçërisht kufirit me Serbinë ka më shume forca se asnjëherë më parë”, tha kryeministri në detyrë.

Përveç familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve të tjerë për homazhe ishin edhe Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Back to top button