Kurti: Ndryshimi i masës i mjaftueshëm që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në pikën kufitare në Merdarë kanë larguar masën e sigurisë për mallrat serbe.

Ai tha se aty do të vazhdohet me kontroll të shtuar derisa të vijnë skanerët për t’i vendosur në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka shkruar drejtorit të Doganës që në njërën prej pikave kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë, nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Kur të vijnë skanerët atëherë ata vendosën në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk vijnë do të hapim një pikë kufitare që do të ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që i kemi ne janë masa të sigurisë. Në shtatë ditët në vijim i kemi disa zhvillime të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA-s, ndërkaq sot 1 javë është samiti i Procesit të Berlinit, ku presim nga CEFTA të kalohet në CRM apo tregun e përbashkët rajonal”, tha ai.

I pyetur se a është koordinuar ky vendim me Gjermaninë, Kurti tha se beson se ky ndryshim i masës është i mjaftueshëm që mbledhja e CEFTA-s dhe samiti i Procesit të Berlinit të jenë të suksesshëm.

“Ne besojmë se ndryshimi i masës që e bëjmë është i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë…Jemi përcaktuar për Merdarën për shkak se aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është vetëm 300 metra larg nga vendkalimi kufitar. Nëse do të kishim një vendkalim tjetër kufitar atëherë terminali doganor do të ishte shumë më e largët. Mandej është e vështirë të kontrollosh se çka ndodh për një maune kur e kalon kufirin dhe vjen në terminalin doganor”, theksoi Kurti.

Ai tregoi edhe rëndësinë e pajisjet me skanerë që sipas tij do të tregojnë nëse maunet me mallra mund të ketë armë dhe municion.

Kurti theksoi se masa është vendosur për shkaqe të sigurisë dhe jo të karakterit tregtar.

“Ka dallim të madh kur vijnë farëra të ndryshme kur vijnë për ndonjë fermë të shpezëve, ato shumë kollaj kontrollohen nëse ka armë dhe municion. Por janë produkte të gatshme në kuti të vogla është e vështirë, pasi s’mundesh t’i hapësh të gjithë. Prandaj kemi kërkuar skanerë, kur kamioni hynë në skanerë atëherë aty tregohet se nuk janë krejt keksa aty. Derisa të vjen skaneri do të duhet të kemi kontroll të rreptë manual dhe na vjen keq për një gjë tillë. Presin nga BE-ja dhe ShBA-të të na sjellin skanerët, pasi na kanë premtuar”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër, kreu qeveritar foli edhe për marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Sipas tij qëllimi i Beogradit është të flas për dialogun me Kosovën pa u përmendur marrëveshja e dakorduar në Bruksel gjatë shkurtit të vitit të kaluar.

“Dialogu në Bruksel edhe në takimin e Ohrit e ka sjell marrëveshjen bazike. Marrëveshja bazike e ka edhe aneksin e zbatimit, por ajo çka duhet është të respektohet ajo. Mirëpo tetë nga njëmbëdhjetë nenet i ka shkelur Serbia. Nuk mund të harrohet një marrëveshje dhe të shkruhet një marrëveshje tjetër pa e trajtuar kush e shkeli atë marrëveshje. Interesi i Beogradit është që të flitet për dialog pa u diskutuar për atë marrëveshje. Interesi i Beogradit është që të thuhet do të kemi një marrëveshje në të ardhmen në mënyrë që të harrohet nga ajo e kaluara. Ajo çka insistoj unë është që të nënshkruhet ajo si dëshmi e mirëbesimit ndërmjet palëve dhe garanci për zbatim. Padyshim se kjo nënkupton edhe tërheqjen e letrës që iu ka dërguar ish kryeministrja Bërnabiq. Njëkohësisht ne kërkojmë dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit tjetër paramilitarë për sulmin terrorist në Banjskë. Pra këto janë tri, nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së Bërnabiq dhe dorëzimi i Radoiçiq”, theksoi Kurti.

Back to top button