Kurti në Berlin: Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës nga 1 janari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Herecegovinës.

Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisjen me viza për të lëvizur në vendet respektive.

Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit, Kurti tha se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm, por se duhen “edhe më shumë veprime”.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime – të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament – unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës”, tha Kurti.

“Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha ai.

I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, ky proces shënon sivjet dhjetë vjet.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

Back to top button