​Kurti në Paradë: Disa njerëz janë më ndryshe, duhet të jemi të barabartë

(Lajm i përditësuar)


​Kurti në Paradë: Disa njerëz janë më ndryshe, duhet të jemi të barabartë

Me rastin e përfundimit të Javës së Krenarisë, kryeministri Albin Kurti tha se parada e krenarisë afirmon diversitetin dhe kundërshton stigmatizimin që po i bëhet nga shoqëria komunitetit LGBTIQ+.

Ai pas përfundimit të marshit të paradës, tha se Kosova garanton barazi për të gjithë qytetarët dhe se duhet të përjashtohen paragjykimet.

“Kjo paradë e afirmon diversitetin dhe e kundërshton stigmatizimin. Nëse besojmë në të drejtat e njeriut, atëherë duhet t’i flakim tutje paragjykimet. Disa njerëz janë më ndryshe, disa njerëz janë shumë më ndryshe, por që të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë. Pikërisht barazia na e mundëson bashkimin, e pamundëson përjashtimin dhe e garanton gjithëpërfshirjen. Andaj, unë mora pjesë në këtë paradë, sepse shteti ynë i pavarur është republikë demokratike që nuk e përjashton asnjeri dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilin”, tha Kurti.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se komuniteti LGBTIQ+ duhet të pranohet në shoqëri dhe se të drejtat e tyre nuk duhet cenuar.

“Kisha nderin dhe kënaqësinë të jem në hapje të Javës së Krenarisë, ditën e hënë, në mbështetje të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë. Për muajin i cili në shumë vende të tjera shënohet si muaji i krenarisë, në Kosovë është java. Nëse nuk gaboj, janë tetë vjet radhazi që shënohet dhe mund të them çdo vit e ka një perspektivë tjetër. Gjithashtu, një qasje në të cilën synohet që përfaqësuesit e komunitetit të ndihen të lirë, të jenë ata që me të vërtetë janë dhe natyrisht të tjerët që mund të kenë paragjykime për ta, të kuptojnë se të gjithë jemi një. Natyrisht, që nuk ka asnjë dallim kur i vjen puna te dallimi mes njerëzve, bazuar në orientimin seksual. Komunitetit LGBTIQ+, si të gjithë heteroseksualët në shoqërinë tonë, duhet të jenë jo vetëm të pranuar, por edhe persona që publikisht deklarohen orientimin e vet, e natyrisht edhe të drejtat e tyre që nuk cenohen”, tha Kusari Lila.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se duhet t’i mundësohet secili person të jetë vetvetja dhe se ka ende shumë punë në këtë drejtim, pasi sipas tij komuniteti LGBTIQ+ po keqtrajtohet pa arsye. Ai shtoi se duhet përkrahur secilin qytetar derisa ata nuk e cenojnë sigurinë njëri-tjetrit.

“Është me rëndësi shumë të madhe që Prishtina, Kosova, faktikisht e gjithë bota të jetë inkluzive, pra e barabartë për të gjithë. Që t’i mundësojë secilit person çfarëdo gjinie apo religjioni, çfarëdo që beson, t’iu mundësojë që të jenë vetvetja. Të jemi nën ligj të barabartë të gjithë. Edhe këtë, Prishtina po e tregon çdo vit që jemi një kryeqytet inkluziv, jemi të hapur e të barabartë për të gjithë, për t’i përkrahur të drejtat e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit. Kemi për fat të keq ende shumë probleme, ende të punohet shumë, sepse një numër i komunitetit për fat të keq edhe maltretohet, keqtrajtohet pa arsye, vetëm për atë se çfarë janë. Ne duhet t’i përkrahim secilin qytetar të Prishtinës derisa ata nuk e cenojnë sigurinë e tjetërkujt”, tha Rama.

Me sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”, Paradës së Krenarisë i kanë prirë kryeministri Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Hajrulla Cceku, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Parada ka nisur nga Sheshi “Skënderbeu” duke përfunduar te Biblioteka Kombëtare me një koncert. Pjesëtarë të këtij komuniteti, paradën e shoqëruan me muzikë e vallëzime. Me këtë aktivitet do të përmbyllet edhe Java e Krenarisë.


Kurti merr pjesë në Paradën e Krenarisë

Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen e Paradës së Krenarisë në Prishtinë të shtunën.

Ai i ka prirë paradës, i shoqëruar nga ministrat Hajrulla Çeku dhe Arben Vitia.

Paradës po i prijnë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.


“Kemi qenë dhe do t’jemi”, gjithçka gati për Paradën e Krenarisë

Parada e Krenarisë  të shtunën në Kosovë  ka filluar me sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”.

Java e krenarisë ka nisur më 3 qershor dhe gjatë javës janë mbajtur disa aktivitete të ndryshme.

“Sllogani ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Ekzistenca jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar”, thuhet në një komunikatë të organizatave që organizojnë javën e cila shërben si demonstrim për barazi te komunitetet LGBTIQ+.

Kujtojmë se ky është edicioni i tetë i Javës së Krenarisë në Kosovë.

Java e Krenarisë është ngjarje që mbahet në ambiente të jashtme në të cilën përmes festës bëhet thirrje për pranimin e personave homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe të tjerë në shoqëri.

Back to top button