Kurti në Samitin Global të ‘’Open Government Partnership’’: Fillon rrugëtimi i Kosovës si anëtarja më e re e OGP-së

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin Global të 8-të të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership).

Në adresimin e tij, në sesionin hapës të samitit që këtë vit po organizohet nga Qeveria e Estonisë, duke iu drejtuar pjesëmarrësve, përfaqësues të shteteve anëtare, aktivistë të shoqërisë civile dhe mysafirë të ftuar, ai tha që ndjehet i nderuar që është në mesin e tyre sot, e veçanërisht krejt në fillim të rrugëtimit të Kosovës si anëtarja më e re e kësaj organizate ndërkombëtare.

Për Kosovën, anëtarësimi dhe pjesëmarrja në OGP paraqet një mundësi për të përmirësuar standardet tona të transparencës, pasi që inkurajon qeverinë të jetë më e hapur për aktivitetet e saj dhe proceset vendimmarrëse dhe po ashtu rrit besimin e publikut, u shpreh kryeministri.

“Të qenit pjesë e organizatës e vendosë Kosovën në skenën ndërkombëtare si një vend i përkushtuar ndaj parimeve të hapura të qeverisë, ndaj praktikave të mira të qeverisjes dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë përmirësuar praktikat e qeverisjes së hapur”, shtoi kryeministri në adresimin e tij.

Ai vazhdoi duke thënë se nëpërmjet transformimit digjital synojmë të rrisim cilësinë e sistemit e arsimit, efikasitetin e sistemeve tona të kujdesit shëndetësor e drejtësisë, dhe të rrisim produktivitetin në ekonomi. Gjatë dy viteve të fundit kemi dixhitalizuar me sukses më shumë se 150 shërbime, të cilat janë të qasshme përmes portalit qeveritar, eKosova, derisa aktualisht jemi në proces të pilotimit për ofrimin e shërbimeve në lidhje me lindjen e fëmijëve.

Gjithashtu, kryeministri Kurti foli edhe rrezikun me të cilin ballafaqohet çdo vend nga kërcënimet kibernetike. Ai veçoi rreziqet me të cilat ballafaqohet Kosova nga aleatët e Rusisë, të cilët përpiqen që të shtrembërojnë të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen.

“Në situata të ndjeshme, kur vendi ynë angazhohet në procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në proceset demokratike të vendit pa ndërhyrje të huaja, kërcënimet kibernetike të llojit të dezinformimit, ngacmimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçanërisht të dëmshme”, theksoi kryeministri Kurti.

Prandaj, kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë dhe se mezi presim të mësojmë nga të gjithë ju dhe me të gjithë ju, për një demokraci digjitale më të fortë për qytetarët tanë, tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.

Në Tallinn të Estonisë, kryeministri Kurti është shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Republika e Kosovës u anëtarësua në Partneritetit për Qeveri të Hapur në muajin gusht. Ajo është tash në mesin e 75 vendeve anëtare. Samiti i sivjetmë i OGP-së po organizohet nga Qeveria e Estonisë. Përveç Kryeministrit Kurtit, pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Kryeministrja estoneze Kaja Kallas, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, Presdenti i Malawit, Lazarus Chakwera, Presidenti i Republikës Domenikane, Luis Abinader dhe Sekretari i OGP, Sanjay Pradhan.


Kurti u takua me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas

Pas ceremonisë hapëse të Samitit Global të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership), organizatë kjo ndërkombëtare në të cilën Kosova u anëtarësua në muajin gusht, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.

Krahas anëtarësimit të Kosovës në OGP, rolin e saj në këtë organizatë dhe kontributit që synon ta japë, në këtë takim dypalësh, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat e bashkëpunimit dhe sfidat e përbashkëta që dy rajonet kanë me fqinjët autoritarë e agresivë, përkatësisht Serbinë dhe Rusinë.

Kryeministri Kurti e njoftoi homologen estoneze për situatën aktuale në vendin, progresin e gjithmbarshëm, arritjen kryesore të qeverisjes dhe reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe digjitalizimit.

Ai e falënderoi kryeministren Kallas për mbështetjen, bashkëpunimin dhe partneritetin e Estonisë. Në këtë takim, ai ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci Sherifi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Kurti akuzon “aleatët e Rusisë” për minimin e dialogut Kosovë-Serbi

Gjatë samitit “Open Government Partnership” në Talin të Estonisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi “aleatët e Rusisë” se përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se këto veprime në Kosovë janë duke u intensifikuar.

“Në Kosovë, përpjekjet nga aleatët e Rusisë për të shtrembëruar të vërtetë, të kaluarën dhe të tashmen, janë të dukshme dhe po intensifikohen. Gjatë kohës së ndjeshme, kur shteti ynë është i përkushtuar në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të normalizuar raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, por edhe për përfshirjen e plotë të minoriteteve në proceset demokratike të shtetit, pa ndikim nga jashtë, këto kërcënime kibernetike, sikurse dezinformimi, bullizimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçmas përcaktuese”, tha Kurti.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Rusinë se po shtyn aleaten e saj, Serbinë, që të nxisë tensione në Kosovë, përkatësisht në veriun e banuar me shumicë serbe. Por, këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.


Kurti udhëton për në Estoni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë udhëtuar për në Tallinn të Estonisë.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, ata do të marrin pjesë në Samitin Global të 8-të të Open Government Partnership që këtë vit organizohet nga Qeveria e Estonisë. Me këtë rast, në ceremoninë hapëse të Samitit, Kryeministri do t’i drejtohet asamblesë së OGP-së, pas anëtarësimit së fundmi të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ceremonia hapëse fillon prej orës 8:00, dhe transmetimin direkt mund ta gjeni në vjegëzën në vijim: https://www.youtube.com/watch?v=XnoB-rTQHAo

Gjatë ditës, Kryeministri Kurti, po ashtu do të zhvillojë një takim dypalësh me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, krahas takimeve tjera./21Media

Back to top button