Kurti në Suharekë për emrin e mandatarit për kryeministër: Janë gjëra të Prishtinës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka treguar se kur do ta dërgojnë emrin e mandatarit për kryeministër te presidentja Vjosa Osmani.
Në nisjen e punimeve të stadiumit në Suharekë, ai është pyetur nga gazetarët se kur do ta dërgojnë propozimin, por tha se “janë gjëra të Prishtinës”.
“Ato janë gjëra të Prishtinës, atje i diskutojmë ato, këtu jemi… investimi me 11 milionë euro në stadiumin e futbollit në Suharekë”, ka thënë shkurt Kurti.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se do të mbajnë mbledhjen e këshillit të përgjithshëm ku do të votohet mandatari.
Sipas saj, kjo mbledhje do të mbahet “jashtëzakonshëm dhe shpejt për shkak të rrethanave”.
Ajo tha se pas mbledhjes së këshillit do e dërgojnë emrin tek presidentja.
Dje ka dështuar mbledhja e kryesisë, e thirrur nga kryeparlamentari Dimal Basha, ku kanë munguar PDK dhe LDK.
Dimal Basha u zgjodh kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, por jo edhe kryesia prej pesë anëtarësh. Nënkryetarë u zgjodhën Albulena Haxhiu – Vetëvendosje, Vlora Çitaku PDK, Kujtim Shala LDK dhe Emilja Rexhepi nga komunitete jo shumicë serbe.
Pasi nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk u zgjodh, Dimal Basha tha të shtunën se janë konsumuar të gjitha opsionet, duke e quajtur të mbyllur seancën konstituive. /kp