Kurti në Tetovë: Sa më shpejtë të nisin punimet për rrugën Tetovë-Prizren

(Lajm i përditësuar)


Kurti në Tetovë: Sa më shpejtë të nisin punimet për rrugën Tetovë-Prizren

E pas Çairit, kryeministri i Kosovës, udhëtoi drejt Tetovës, ku i prit nga kreu i komunës, Bilall Kasami. Më pas vizituan fshatin Vicë, për të prezantuar një segment të rrugës Tetovë-Vicë dhe për të promovuar idenë e lidhjes së Tetovës me Prizrenin përmes rrugës rajonale. Kasami falënderoi qeverinë Kosovës për angazhimin për lidhjen e Tetovës me Prizrenin. Uroi që edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut të angazhohet për këtë projekt për të cilin tha se ka një studim fizibiliteti, ndërsa shtoi se as pushteti lokal nuk do të qëndrojë duarkryq. Kurti rikujtoi se aksi që lidh dy qytetet është marrëveshje e firmosur nga dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe Maqedonisë, andaj kërkoi që punët të ecin sa më shpejt drejt realizimit. Edhe këtu të pranishëm ishin kryetari i Lidhjes Demokratike, Izet Mexhiti si dhe ai i Alternativës Afrim Gashi. Krerë të partive të tjera a qeveritarë nuk u panë. Në fund nuk u lejuan pyetje për gazetarët.

“Aksi që e lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje mes dy qeverive tona nga mbledhja e përbashkët e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu maqedonas Kovaçevski, andaj dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejtë me punimet dhe realizimin e këtij projekti madhor që është rajonal dhe ndihmon shumë zhvillimin e dy vendeve tona.”- deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.


Kurti: Në Maqedoni ende ka rrugë dhe shkolla me emrin “Tito”, emërtimi i rrugës “Adem Demaçi”, akt në përpjekjen e pafundme të një populli për liri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pasditen e sotme mori pjesë në inaugurimin e rrugës me emrin “Adem Demaçi” në Çair të Shkupit, shkruan TV21. Kurti duke përmendur kohën kur Demaçi u arrestua pas tërmetit në Shkup, si masë e mbrojtjes për vizitën që bëri diktatori i ish-Jugosllavisë dhe ai i ish Bashkimit Sovjetik, tha se emërtimi i kësaj rruge është “akt këmbëngulje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri.”

“Me 22 gusht, 1963, Shkupin e goditur nga tërmeti kishin ardhur ta vizitonin së bashku 2 liderë diktator, Josip Broz Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Hrushqevi i Bashkimit Sovjetik, në kuadër të përgatitjeve për vizitën e tyre, me frikën se ajo mund të prishej, autoritetet jugosllave të kohës, aparati shtetëror represiv i së cilës udhëhiqej nga Aleksandar Rankoviçi, ishin kujdesur që paraprakisht ta burgosnin Adem Demaçin. Shtypësit dhe mohuesit e lirisë nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim një emër të përveçëm njeriut, emrin e Adem Demaçit. 60 vjet më pas, në Maqedoni ka ende rrugë edhe shkolla me emrin “Josip Broz Tito”! Emërtimi i rrugës me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbëngulje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, tha Kurti./tv21.tv

Back to top button