Kurti nga Amerika: Vendosëm sanksione shtesë ndaj Rusisë e Bjellorusisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dje(17 maj) u mbajt mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës, e përmes Facebook-ut, Kurti u shpreh se Kosova është shtetet e para që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë.
“Në mbledhjen e 78 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam vendime të rëndësishme për Republikën dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare.
Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Ëagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi”, u shpreh Kurti.
Kryeministri Kurti shtoi se masat u vendosen me qëllim të mbrojtjes së demokracisë.
“Me qëllim të mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vendosëm masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL (Da’esh), Al-Qaeda dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me to. Duke marrë parasysh nevojën për krijimin e mekanizmave sa me efikas, miratuam Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara”, shtoi Kryeministri.
Ndërkaq, kryeministri po ashtu theksoi se i hapën udhë bashkëpunimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master.
“Po ashtu, plotësuam Programin Legjislativ për vitin 2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Miratuam nismën për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Arkivave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit.I hapëm udhë bashkëfinancimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master me miratimin e nismës për marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës”, tha më tej Kryeministri Kurti./21Media

Back to top button