Kurti: Një autokraci si kjo e Vuçiqit, nuk del dot nga nacional-shovinizmi i Millosheviqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar kohën kur presidenti i Serbisë, atë kohë ministër për Informim në qeverinë e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq kishte ushtruar padi ndaj Haqif e Haki Mulliqit.
“12 mars 1999, Ministri i Millosheviqit për Informim, Aleksandar Vuçiq, ushtron padi kundër revistës “Kombi” dhe redaktorit përgjegjës, Haqif Mulliqi e botuesit, Haki Mulliqi, për shkelje të Ligjit të tij diskriminues mbi informimin publik. E ky ligj impononte të dëgjuarit e lëndës nga gjykata brenda 24 orësh, përfundim të lëndës brenda 24 orësh, e shpesh mbaronte edhe me konfiskim të pronës.
29 dhjetor 1998, Aleksandar Vuçiq deklaron: “Shqiptarët do ta ndryshojnë politikën e tyre editoriale, por këtë nuk e dinë ende”. Padia e tij gjyqësore ndaj vëllezërve Haqif e Haki Mulliqi ishte zyrtarizim i kërcënimit të tij publik ndaj shqiptarëve. Ndalohej fjala e lirë dhe zëri i shqiptarëve për liri, represioni i ushtruar ndër vite e dekada kulmoi me gjenocidin dhe spastrimin etnik gjatë viteve 1998-99.”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Më tej ai ka Kurti ka thënë se Vuçiq ende vazhdon t’i mohojë krimet e Serbisë në Kosovë.
“Informimi i lirë dhe i drejtë në ato vite përbente krim për ministrin e atëhershëm të informimit, Vuçiq. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë vazhdoi të mohohet edhe për dy dekada e gjysmë në vazhdim. Si president i Serbisë, Vuçiq më 5 dhjetor 2019 mohoi publikisht krimet e masakrat ndaj shqiptarëve, duke e cilësuar masakrën e Reçakut si fabrikim. Nuk është rastësore që Serbia e udhëhequr nga ai, në raportin vjetor të organizatës për lirinë në botë, “Freedom House”, ka rënien më të madhe në Evropë në kategorinë e të drejtave politike dhe lirive të qytetarëve.Ministri i Millosheviqit, tani President, vazhdon me kontrollin e ashpër ndaj mediave dhe ndalimin e çdo zëri të lirë në Serbi. Mbase: një herë ministër i informimit, përgjithmonë ministër i informimit.”, ka vijuar Kurti.
Ai ka përmendur edhe vrasjen e Sllavko Quruvija.
“Sllavko Quruvija u vra më 11 prill 1999, kurse të gjithë të akuzuarit për vrasjen e tij u liruan nga gjykatat serbe më 2 shkurt 2024. “Rast unik në botë është ky”, thoshte atëbotë Brajan Fillips, koordinator i shoqatës së juristëve për Evropën Qendrore dhe Lindore, kur fliste për rastin e nisur nga shteti kundër revistës së Sllavko Quruvija, të quajtur “Evropiani” më 1998.
Një autokraci si kjo e Aleksandar Vuçiq, nuk del dot nga nacional-shovinizmi i Millosheviqit dhe e kaluara e zymtë gjenocidale e Serbisë. Një zymtësi që korrespondon me atë që kishte potretizuar gazetari i pavarur Quruvija në ballinë të revistës së tij më 1998: “Ndjellësit e frikës”.”, ka përfunduar kryeministri Kurti./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?