​Kurti: Nuk humbim kohë me të tjerët, synojmë gjysmë milionë vota më 9 shkurt

Lajm i përditësuar

Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e listës, Guxo dhe Alternativa, kanë prezantuar sonte kandidatët për deputetë pjesë e garës zgjedhore të 9 shkurtit 2025.

Listës prej 110 kandidatëve i prin kandidati për kryeministër, kryeministri aktual dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Ky i fundit në fjalimin e tij ka prezantuar listën e VV-së për të cilën tha se janë njerëz me dinjitet dhe profesionalë.

“Në listën e fitores sonë të madhe në këta 110 kandidatë, gjejmë një gamë të gjerë profesionesh nga njëshi deri 110-shi gjejmë 17 mjekë, 12 inxhinierë e tre të tjerë nga shkencat ekzakte, 12 juristë, 20 ekonomistë, tetë nga shkencat politike dhe integrimet evropiane, 12 nga shkencat e tjera sociale, tre nga marrëdhëniet ndërkombëtare, tetë nga gjuha shqipe dhe ato të huaja, pesë nga gazetaria dhe komunikimi masiv, dy nga bujqësia, tre nga fusha ushtarake, tre nga arti e kultura dhe katër nga sporti”, ka thënë Kurti.

Ai tha se në listën e VV-së 41 janë gra e 69 burra, 14 janë veteranë të luftës, gjashtë nga familjet e dëshmorëve, gjashtë ish-të burgosur politikë. Numri i atyre që kandidojnë për herë të parë është 46, ndërsa i atyre që kanë kandiduar dy herë e më shumë – 64, derisa numri i kandidatëve nga mërgata është tre.

“Ata që garojnë me pragun, ata që garojnë mes vetes në garën për pretendent për garë seriozë dhe janë ata që garën e kanë me vetveten. Ne jemi krejtësisht në gara të ndara. Lëvizja VV së bashkuar me partnerët Guxo e Alternativa garon vetëm me veten, nuk humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten në qëllimet tona më të larta – të angazhohemi me të gjitha mundësitë për ta ngritur subjektin tonë në shifrën prej gjysmë milionë të qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Në dhjetëshen e parë të listës së VV-së janë edhe kryetari aktual i Kuvendit Glauk Konjufca, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla nga Guxo, ministrat Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, shefja e grupit parlamentar Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, ministri i Bujqësisë Faton Peci nga Guxo dhe Shqipe Mehmeti Selimi.

Jashtë listës kanë mbetur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu dhe Besnik Bislimi, i cili do të jetë shef i shtabit zgjedhor.

Vetëvendosje ka udhëhequr me Qeverinë Kurti 1, e cila njihet si më e shkurtra në historinë e Kosovës – 50 ditë. Qeveria Kurti 2, e cila doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, përmbushi për herë të parë një mandat të rregullt katërvjeçar.

Kurti kërkon 500 mijë vota: Të mos varemi nga Lista Serbe e as nga klubi i stërvjetruar politik

500 mijë është numri i votave që Albin Kurti ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, për ta formuar kështu qeverinë i vetëm përsëri.

Këtë, Kurti e ka bërë në një tubim me simpatizantët në sallën 1 tetori në Prishtinë, në prezantimin e kandidatëve për deputetë nga radhët e LVV-së, ku tha se këto vota janë të nevojshme që të mos varen nga Lista Serbe, por as nga partitë tjera opozitare shqiptare, të cilat i quajti “të stërvjetëruara”.

“500 mijë vota nuk është thjesht aspiratë sa për kuriozitet, por është më e nevojshme se kurrë që jo vetëm të vazhdojnë punët e mira, të drejta e të domosdoshme që kemi nisur për republikën tonë, por që edhe të mos varemi nga Lista Serbe e as nga klubi i stëvjetruar politik”, deklaroi Kurti.

Kryeministri theksoi se varësia “në ta e prej tyre është në dëm të Kosovës”.

“Të varesh nga ta do të thotë dy gjëra: ose nuk ia donë të mirën Kosovës, ose je i gllabëruar prej më shumë se 20 vjet çkoordinimi të institucioneve dhe të sakatimit të vendit”, shtoi.

Sa i përket listës së kandidatëve të VV-së – të shumë kritikuar – Kurti e vlerësoi lartë, derisa theksoi se njëjta ka brenda saj një gamë të gjerë profesionesh.

“Nga 1 deri te 110 gjejmë: 17 mjekë, 12 inxhinierë e 3 të tjerë nga shkencat ekzakte, 12 juristë, 20 ekonomistë, 8 nga shkencat politike e integrimet evropiane, 12 nga shkencat e tjera sociale, 3 nga marrëdhëniet ndërkombëtare, 8 nga gjuha shqipe e ato të huaja, 5 nga gazetaria dhe komunikimi masiv, 2 nga bujqësia, 3 nga fusha ushtarake, 3 nga arti e kultura dhe 4 nga sporti”, potencoi Kurti.

Back to top button