Kurti: Nuk ka qendër të Vetëvendosjes në Maqedoni, nuk marrim pjesë në zgjedhje!
Kryeministri i Kosovës, njëherë edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot në Shkup tha se partia e tij nuk do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, shkruan TV21. Kurti thotë se nuk janë të regjistruar si subjekt në RMV.
“Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është që marrim pjesë këtu”, deklaroi Kurti.
I pyetur nëse partitë politike shqiptare duhet të kenë kandidat të tyre për president në RMV, Kurti tha se për këtë duhet të vendosin qytetarët por edhe vetë partitë politike në Maqedoninë e Veriut.
“Dëshiroj që të ketë pjesëmarrje sa ma të lart në zgjedhje, sepse kjo i kontribuon demokracisë. Ne e dimë që regjistrimi i fundit i popullsisë, përfshirë edhe mërgatën, i ka nxjerrë shqiptarët me një përqindje prej 29%, nëse nuk gaboj dhe natyrisht që duhet të vendosin ata vet se a do të ketë kandidat dhe kush do të jetë ai ose ajo”, theksoi Kurti./tv21.tv