Kurti: Nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me Kushtetuën e Kosovës, nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike.
Kurti është shprehur se ai, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca në vitin 2013 kanë qenë kundër Asociacionit.
“Në vitin 2013 duhet ta keni parasysh që ka pasur një trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët për ta kaluar shpejt e shpejt atë marrëveshje parimore dhe ka munguar transparenca, nuk ka pasur informim të duhur. Sot i keni në krye të institucioneve njerëzit të cilët në vitin 2013 kanë qenë kundër asaj marrëveshje, ndërsa sot ata tre vetë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti më 14 shkurt të vitit 2021 kanë arritur fitore plebishitare. E dyta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që i ka bërë përmbajtjes së vitit 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e vitit 2013. Me fjalë të tjera ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm germa e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetuën e Kosovës asociacion mbi  baza etnike. Kjo është bërë në Dejton ku është ndërtuar një ngrehinë që sot quhet Republika Serbe dhe e cila është aty për Beogradin dhe jo për serbët. Ngjajshëm po e dëshirojnë edhe në Kosovë. Shikoni në Bosnje dhe Hercegovinë kemi një shtet që nuk është republikë, e brenda e ka një republikë që nuk është shtet. Pra, Beogradi dëshiron ngjashëm edhe në Kosovë që të ketë një shtet që nuk do të quhet republikë por Asociacion dhe kjo të jetë brenda Kosovës që quhet Republikë por nuk do të jetë shtet. Pra në kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe e kemi studiuar dhe analizuar saktë Beogradin përveҫ se e njohim mirë nga përvoja jonë. “, ka thënë Kurti për DW.
Lidhur me takimin “Open Ballan”, Kurti ka deklaruar se për t’u bërë Ballkani i hapur dhe i lirë duhet të ndryshojë njëherë Serbia.
“Ka një dallim themelor në këtë situatë meqenëse Serbia e pranon Shqipërinë si shtet, por nuk e pranon Kosovën dhe ky mospranim i Kosovës nga ana e Serbisë kthehet në diskriminim gjithandej për qytetarët tanë. Pra ndërsa një qytetar i Shqipërisë mund të udhëtojë me pasaportë në Serbi, kjo nuk vlen për një qytetar të Kosovës meqenëse neve nuk na pranohen dokumentet tona në Serbi. Pra, për t’u bërë Ballkani i hapur dhe i lirë duhet të ndryshojë njëherë Serbia. Nëse ne bashkëpunojmë me një Serbi, e cila nuk po ndryshon, kjo nuk do ta ndihmojë ndryshimin e Serbisë, përkundrazi inkurajimin e saj. Unë nuk i preferoj iniciativat që nuk i kanë brenda dhe tërë kohën Bashkimin Evropian. Ne i pamë aty tri shtete, tre përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perendimor, mirëpo aty nuk qe askush nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal që ka dalë nga procesi i Berlinit e për të cilin nevojiten padyshim liritë e qarkullimit dhe kualifikimeve dhe të njohjes së diplomave profesionale e akademike, por është serish Serbia që nuk po e pranon një gjë të tillë për Kosovën. Në anën tjetër kur thuhet Ballkani i Hapur, i hapur për kë? Sepse ne do të duhej të ishim me Bashkimin Evropian, por jo të hapur për Federatën Ruse dhe Kinën. Në një farë mënyre kur thuhet i hapur, nga pikëpamja e Serbisë synohet që ashtu siҫ Serbia është e hapur për Federaten Ruse dhe Kinën, të bëhen edhe të tjerët në Ballkanin Perendimor. Pra ne kundërshtojmë një tendencë të tillë dhe në fund më duhet t’ju them që edhe personalisht si orientim politik dhe si ndjeshmëri kulturore, nuk jam në mesin e atyre liderve që besojnë në vetmjaftueshmërinë e Ballkanit. Po e ritheksoj që Evropa është kontinenti ynë, ndërsa Bashkimi Evropian është fati ynë.”, ka thënë tutje Kurti.

Back to top button