Kurti nuk tërhiqet: Kryetarët e katër komunave në veri kanë mbështetjen e plotë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me një video nga zyra e tij pas situatës së krijuar në veri të vendit. Ai ka deklaruar se kyetarët e veriut e kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës.

“Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve”, deklaroi më tej ai, duke thënë se kryetarët e veriut e kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës.

Kurti, në atë video ka përmendur të sanksionuarit e SHBA-së, Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, teksa ka thënë se këta të fundit i detyruan serbët të marrin pjesë në protesta të dhunshme.

“Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Kurti.

Më tej, Kurti ka thënë se Policia e Kosovës dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore.

“Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta”.

“Dhjetëra të lënduarve ju dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Falënderoj kryetarët e komunave që përkundër vështirësive kanë shfaqur vullnetin e sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve i cili dëshmohet edhe në këto situata. Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve, kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë. Falënderoj gazetarët dhe mediat që përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. Dhe falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës për mirëbesimin dhe mbështetjen”./21Media

 

Back to top button