Kurti numëron operacionet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka numëruar aksionet dhe veprimet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të ndërmarra gjatë vitit të kaluar.
Kurti ka thënë se janë realizuar 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, prej të cilave janë arrestuar 3,202 persona, prej tyre 301 ishin zyrtarë publikë.
“Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit; Shkatërruam 69 grupe kriminale; U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike; Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri; Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave; Janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që s’ishin konform me aktet nënligjore”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai tutje ka njoftuar se kanë ndërtuar 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe kanë bërë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje.
“Krijuam Njësitin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare”, ka njoftuar Kurti./21Media

Back to top button