Kurti numëron sukseset e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri: Sivjet shkëmbimet tregtare janë më të lartat ndonjëherë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë tr se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë sivjet kanë arritur në nivelin më të lartë ndonjëherë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë dhe se në vitin 2019, ato ishin 15.2 milionë euro, derisa në vitin 2022 u pesëfishuan duke arritur në 79.7 milionë euro.

“Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë.Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit.”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti po ashtu ka përmendur marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, e cila është ndër projektet më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë kombëtar.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar. Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.Ndërkohë që krahas unifikimit të abetares për nxënësit e klasës së parë, njësuam edhe procedurat për aplikim dhe regjistrim të studentëve në universitete, si dhe nisëm punën madhore për Enciklopedinë Shqiptare. Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë.”, ka shkruar ai./21Media

 

 

Back to top button