Kurti optimist se marrëdhëniet Kosovë- Greqi po afrohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë po afrohen.
Ai këto deklarata i ka bërë përmes një postimi në Twitter ku ka njoftuar për darkën që ka shtruar mbrëmë për Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë po afrohen çdo ditë e më shumë. Është një dëshmi e marrëdhënieve tona të mira dypalëshe, por edhe një njohje e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Një kënaqësi për të pritur për një darkë mbrëmë Ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Dendias”, ka shkruar Kurti.


Dendias dje është pritur edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit Osmani ka deklaruar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe rajonin. Ajo ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia.
Dendias është pritur edhe nga zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi./21Media

Back to top button