Kurti: Për 18 vite patëm Ramazan për qytetarët, Bajram për pushtetarët

VV tubim elektoral në Prizren

I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Prizrenit, bashkë me kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës, ku ka premtuar drejtësi e zbatim të ligjit dhe se do të punojë vetëm për popullin.

Kurti është shprehur i bindur se qytetarët e Prizrenit, siç tha ai “do të bashkohen në këtë qytet të bashkimit”.
Kurti tha se në secilën ditë të këtyre 4 viteve të fundit, por edhe të 18 viteve të pasluftës, kemi pasur Ramazan për qytetarët dhe Bajram për pushtetarët. Por, ai premtoi se me qeverisjen e VV-së, kjo do të jetë anasjelltas.
“Pas 11 qershorit nuk do të ketë më qytetarë të dëgjueshëm ndaj politikanëve, por politikanë të dëgjueshëm ndaj qytetarëve. Vetëvendosja është kushti dhe mundësia, është dëshmia dhe garancia për këtë. Vetëvendosje e do shtetin e Kosovës me sovranitet, ekonominë e Kosovës me prodhim, gjyqësinë me drejtësi, shoqërinë me barazi, politikën e Kosovës me ideale, institucionet e Kosovës me ligj e me moral dhe popullin e Kosovës me Vetëvendosje e demokraci.”, tha Kurti.

Ai u zotua se me qeverisjen e VV-së do të investohen në bujqësi 240 milionë euro në mandatin e parë. Si dhe u zotua se qeverisja e VV-së do ta fus tërë ekonominë brenda ligjit.

Mytaher Haskuka , kandidatë për deputet i nominuar nga Prizreni nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se ky pushtet e la të vrarë Astritin, komandant Drinin, e vrasësit të lirë. “Jo korrupsionit. Prizreni po i thotë përfundimisht jo “Zajdnicës”. Jo Vuçiqit, jo Daçiqit. Prizreni po i thotë jo dorëzimit, jo rrënimit të shtetit, jo koalicionit të natës dhe koalicionit të dorëzimit, që e shkatërruan shtetin. Prizreni po i thotë jo atyre që i zbrazen fabrikat nga makinat, e makinat nga punëtorët. Jo aty që i lan punëtorët pa punë, e tokat në djerrin.”, tha Haskuka.

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Shpend Ahmeti, në fjalimin e tij ka thënë që ndjehet shumë i lumtur me pritjen në këtë qytet. Ai ka shtuar se pjesëmarrja në këtë tubim është mesazhi më i mirë për ata që thonë se rrëzimi i klanit “Pronto”, është i pamundur. Ai ka numëruar disa nga sukseset e qeverisjes së Prishtinës.
“Ne i kemi provuar që 17 vjet këto parti. Pra kombinimet e tyre i kemi pa, s’ka kombinim të tyre që nuk e kemi provuar. Në një mënyrë a në një tjetër të gjitha këto parti e kanë qeverisë shtetin në Kosovë. Dhe tani kemi Kosovën si shtetin më të varfër në Evropë. Pra boll ma me këto parti. Është koha jonë”, tha Ahmeti para prizrenasve.

Po ashtu edhe Arbër Rexhaj, kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje për deputet nga qyteti i Prizrenit, ka thënë se Vetëvendosja në Prizren me vite të tëra ka mbajtur opozitarizmin brenda dhe jashtë institucionit./21Media

Back to top button