Kurti për Agim Vatovcin: Mbetëm pa një aktivist të madh të të drejtave të njeriut

Kryeministri Albin Kurti sot ishte në vizitë për ngushëllime te familja e Agim Vatovcit, ish-kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë dhe avokuesi më i madh për të drejtat e njeriut i cili u nda nga jeta të dielën e datës 2 qershor, në moshën 68-vjeçare.
Gjatë vizitës për ngushëllime, kryeministri Kurti kujtoi figurën e Vatovcit, duke thënë se ai ishte njëri ndër shembujt më të mirë të aktivizmit qytetar dhe avokues i madh i të të drejtave të njeriut, si dhe shprehu mirënjohje për gjithë punën dhe përkushtimin e Agim Vatovcit ndaj shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.
“Me ndarjen fizike prej nesh, populli ynë dhe shoqëria jonë ka mbetur pa një aktivist të jashtëzakonshëm të të drejtave sociale dhe të përparimit qytetar. Agim Vatovci ishte gjallëria e njeriut të pandalshëm. E kujtojmë me nderim dhe pikëllim”, shkroi Kurti në librin e zisë në përfundim të vizitës për ngushëllime.