Kurti për aksidentin në Skenderaj: Shumë shpejt do të kemi pasqyrë më të plotë mbi rastin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidentit në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë.
Kurti u bënë thirrje shoferëve për kujdes në komunikacionin automobilistik, për të evituar fatkeqësitë.
“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti. Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”, ka shkruar Kurti në Facebook. /21Media