Kurti për komunitetin turk: Është element thelbësor i urës së fuqishme midis Kosovës e Turqisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në takimin me temën “Vlerësimi i gjendjes aktuale të komunitetit turk në Kosovë’’, për të diskutuar çështje të ndryshme të këtij komuniteti në Republikën e Kosovës, sfidat me të cilat përballen ata, shqetësimet e tyre, por edhe idetë e modalitetet në tejkalimin e këtyre pengesave.
Me këtë rast, siç u bë e ditur në komunikatë, kryeministri Kurti vlerësoi lart kontributin e komunitetit turk në Republikën e Kosovës për zhvillimin, demokratizimin, por gjithashtu edhe për pavarësimin e Republikës së Kosovës.
‘’Ne e dimë që edhe para luftës e pas luftës por edhe para shpalljes së pavarësisë e pas shpalljes së pavarësisë raportet tona ndërnjerëzore, qytetare, politike kanë qenë gjithmonë të larta’’, tha ai.
Duke folur për lidhjen mes Kosovës e Turqisë dhe raportet mes tyre, kryeministri veçoi se asnjëherë nuk duam që në lidhjen e Kosovës me Turqinë të mos merr pjesë komuniteti turk, i cili është element thelbësor i urës së fuqishme midis dy vendeve tona.
Në këtë takim e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, e cila e falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen që i ka dhënë lidhur me të drejtat e njeriut dhe komuniteteve, pa asnjë dallim.
“Gjatë takimit, u fol për çështje të ndryshme me rëndësi për komunitetin turk. Të pranishmit e falënderuan kryeministrin Kurti për gjithë çfarë ai ka bërë dhe po bën për komunitetin turk.”, u bë e ditur tutje në komunikatë./21Media

Back to top button