Kurti për shpërthimin afër Ujmanit: Serbisë s’i leverdis normaliteti në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas shpërthimit në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Në një postim në Facebook ka shkruar se njësitë policore relevante janë në vend të ngjarjes dhe po hetojnë rastin.
Tutje Kurti ka shkruar se Serbia dhe qarqet e caktuara mike e të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në veri të vendit.
”Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjë është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar Kurti.
Por, rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës. Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar Kurti në Facebook./21Media
Back to top button