Kurti për targat: Vendimi garanton paqen e sigurinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se partnerët ndërkombëtarë kanë konfirmuar se vendimi i fundit për targat është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.
“Qeveria jonë miratoi sot zbatimin gradual të politikës për targat ilegale të shpallura në qershor, për të cilën partnerët tanë ndërkombëtarë konfirmojnë se është plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Vendimi i zbatimit garanton sundimin e ligjit nga njëra anë dhe paqen dhe sigurinë nga ana tjetër”, shkroi Kurti në Twitter.
Today our Govt approved gradual implementation of the policy on illegal license plates announced in June, which our int’l partners confirm is fully compliant w/ Brussels agreement. The implementation decision ensures rule of law on the one hand, and peace & security on the other. pic.twitter.com/TXV67JpAVw
— Albin Kurti (@albinkurti) October 29, 2022
Kujtojmë që, Qeveria e Kosovës ka vendosur të bëjë shkallëzimin e sanksioneve për qytetarët që nuk e respektojnë afatin e vendosur për kthim të targave ilegale në ato RKS, deri më 31 tetor.
Ky vendim është marrë të premten(28 tetor) në mbledhjen e 103-të të Qeverisë.
“Targat PR, KM, PZ, GL, UR, PE, DA apo GJA, janë targa ilegale. Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vendimit ka obliguar pronarët e mjeteve me targa ilegale t’i kthejnë në targa zyrtare RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme, me ministrinë e linjës dhe me organet e sigurisë. Kemi ardhur në përfundim të sjellim propozim një vendim, i cili bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi”, ka thënë Kurti.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntori deri më 21 nëntor 2022, do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Kurti ka theksuar se nëpërmjet këtij sekuencim dhe shkallëzim, Qeveria tregon seriozitetin që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e në të njëjtën kohë t’u japin shanse të gjithë atyre që janë të interesuar të integrohen./21Media