Kurti përkujton ikonën e boksit kosovar Xhevdet Peci

Boksieri i njohur kosovar, Xhevdet Peci ka vdekur dje në SHBA, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 67-vjeçare.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” u ka shprehur ngushëllime familjes Peci, miqve të tij dhe të gjithë kolegëve boksierë, “të gjeneratës së artë të KB “Prishtinës””.
Kurti e ka kujtuar kohën kur ishte fëmijë simpatizant i boksierit Xhevdet Peci.
“Qysh kur isha fëmijë, para ndeshjeve të futbollit në stadiumin e kryeqytetit të KF “Prishtina” të dielave pasdite, shkonim në Pallatin e Rinisë për t’i parë boksierët e KB “Prishtina”. Bashkë me Lah Nimanin, Nazif Gashin, Aziz Salihun, Naser Bajramin, Mehmet Bogujevcin, Fatmir Makollin dhe boksierë të tjerë, ishte edhe Xhevdet Peci. Me stilin e tij të shpejtë të të boksuarit në ring, Xhevdet Peci i fitoi simpatitë dhe zemrat e mijëra dashamirësve të sportit, mes tyre edhe timen si një fëmijë entuziast për boksierin Xhevdet Peci, që 5 vite rresht askush nuk arriti ta mposhte”, ka shkruar Kurti.
Kurti tha se Peci me karrierën e tij të pasur, ka hyrë në historinë e boksit dhe të sporteve në Kosovë, ku ai do të kujtohet për trofetë e fituar, kontributin për zhvillimin e boksit në Kosovë, për grushtet nokautuese të tij, madje edhe për “nokautimin” e referit që i bëri padrejtësi.
“I fuqishëm qoftë kujtimi për Xhevdet Pecin, ashtu siç qe jeta e tij prej boksieri!”, ka përfunduar ai.
Xhevdet Peci, i njohur si “Grushti i hekurt”, ishte një nga boksierët më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Ai ishte shpallur pesë herë kampion me klubin e boksit Prishtina, nën urdhrat e trajnerit Lah Nimani./21Media

Back to top button