“Kurti po i sfidon SHBA-të”

Pavarësisht një reagimi të qartë nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë dhënë përmes një përgjigjeje për rtv21 se nuk mund të ketë dialog strategjik me Qeverinë kujdestare pa ndërmarrjen e hapave konkretë për bashkëpunim dhe ulje të tensioneve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë të mira dhe sipas tij është normale që dy shtete të kenë mospajtime të cilat kryesisht kanë të bëjnë me veriun.

Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, tha se qytetarët duhet t’i kuptojnë qartë mesazhet e SHBA-së se ata duan një Qeveri jo konfliktuoze.

“SHBA-ja dhe shtetet e tjera janë mësuar, dhe ne publiku i Kosovës jemi mësuar me eufemizmat e zotit Kurti dhe të idhtarëve të tij. Është momenti i fundit që publiku i Kosovës t’i kuptojë mesazhet të cilat vijnë nga SHBA të cilat vijnë në mënyrë të kohë pas kohshme, por të rregullta si nga Departamenti i Shtetit i cili përmend vijat e kuqe me emrin dhe mbiemrin e caktuar e që është Albin Kurti. Komiteti për Politikë të Jashtme i cili pohon çështjet problematike që e kanë me zotin Kurti. Tash reagimi i fundit i ambasadës i cili kërkon deeskalim, bashkëpunim në mnëyrë që të rikthehet dialogu strategjik. Nuk do të kemi dialog strategjik derisa kemi këso sjellje të cilat e ngulfasin Kosovën dhe e rikthejnë Kosovën në retorikën historike nacionaliste e cila për fat të keq po keqkuptohet nga publiku”, tha Prenkaj për rtv21

Ambasadori Prenkaj vlerëson se faktori ndërkombëtar ka një shqetësim shumë serioz për shkak se, sipas tyre, veprimet e zyrtarëve të LVV-së po e dëmtojnë bazamentin e shtetit.

“Reagimet e SHBA-së, ambasadave tjera dhe kancelarive të tjera siç është Gjermani, Franca këkrojnë të mos preket kushtetueshmëria e Kosovës, b azamenti apo themeli i shtetit të Kosovës të cilin në mënyrë përmanente dhe me insistim janë duke e cënuar LVV-ja e udhëhequr nga Kurti”, u shpreh ai.

Ndërkohë, analistja politike, Arta Tahiri, kërkon nga Kurti dhe të gjithë politikanët në Kosovë që t’i marrin seriozisht kërkesat e SHBA-së për rifillimin e dialogut të planifikuar strategjik.’’

“Kjo sigurisht që i ka kushtuar Kosovës. Ishte një nismë shumë pozitive dialogu strategjik dhe pezullimi i tij erdhi si pasojë e zhgënjimit dhe qasjes që ka pasur zoti Kurti”, tha Tahiri për rtv21

Dialogu Strategjik SHBA–Kosovë është një format i ngritur i bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës në fusha të ndryshme përfshirë sigurinë, ekononimë, sundimin e ligjit dhe investimet amerikane në Kosovë. Ai u pezullua nga SHBA-ja pas masave të qeverisë kundër disa institucioneve paralele serbe në Kosovë si dhe kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ëashingtoni tha se “veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”/RTV21/21Media

Back to top button