Kurti premtonte ta kryente në këtë mandat, anulohet tenderi gati 2 milionësh për Aeroportin e Gjakovës

Ministria e Mbrojtjes ka anuluar tenderin gati 2 milionësh për ndërtimin e infrastrukturës për Aeroportin e Gjakovës. Ky ka qenë një projekt që ishte planifikuar , saktësisht për vitet 2024 dhe 2025.
Tenderi është anuluar me arsyetimin se të gjitha ofertat e përgjegjshme e kanë tejkaluar vlerën e parashikuar për këtë kontratë, e që ka qenë saktësisht 1 milion e 930 mijë euro.
Oferta më e lartë për këtë tender ka shkuar deri në 3 milionë e 763 mijë e 852 euro. Tri konsorciumet që kanë dorëzuar oferta më të ulëta se vlera e parashikuar e kontratës, janë eliminuar për mos përmbushje të kritereve.
“Ministria e Mbrojtjes, Kazerma “Adem Jashari”, Rruga, Magjistralja, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë, Anulon aktivitetin e prokurimit për shkak se të gjitha ofertat e përgjegjshme kanë tejkaluar buxhetin e planifikuar për këtë projekt”, thuhet në vendimin e Ministrisë, që është publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Punimet në këtë aeroport, në dosjen e tenderit, ishin arsyetuar me planifikimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Aty thuhej se do të ndahen disa hapësira, do të renovohet shtresa e asfaltit ekzistues dhe se do të ketë shtrim me sipërfaqe të reja asfalto, dhe ndërtim i rrethojës brenda sipërfaqes së aeroportit.
“Lokacioni i objekteve është në të ashtuquajturin Aeroportin e Gjakovës, hapsire e shfrytëzuar për periudhe të gjatë nga KFORI- Italian. Me përfundimin e misionit paqësor te KFOR-it Italian hapsiara është marr në administrim dhe shfrytezim nga Ministria e Mbrojtjes respektivisht Forca e Sigurisë së Kosovës. Për shkak te planifikimeve strategjike të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka lindur nevoja e intervenimit për Renovimin e hapësirave brenda Aeroportit, ndërtim dhe ndarje të hapësirave po ashtu renovimi i shtresës së asfaltit ekzistues e po ashtu shtrim me sipërfaqe të reja asfalti. Ne kuadër të këtyre ndërhyrjeve është parashikuar edhe ndërtimi i rrethojës brenda sipërfaqes së aeroportit siç është potencuar në detyrë projektuese”, thuhet në dosjen e tenderit.
Funksionalizimi i këtij aeroporti ishte dhënë si premtim gjatë fushatës zgjedhore nga Kryeministri Albin Kurti.