Kurti pritet të takojë Jasharajn

Kryeministri Albin Kurti do të presë mëngjesin e sotëm Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Takimi është konfirmuar për portalin rtv21.tv nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili nuk ka dhënë më shumë detaje.
Përpos kryeministrit Kurti, në këtë takim do të jetë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Këshilli Grevist i BSPK, i përfaqësuar nga kreu i saj, njëherit kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka kohë kishte kërkuar një takim me Kurti për të diskutuar rreth kërkesave të tyre.
Kurti nuk kishte takuar asnjëherë Këshillin Grevist që nga fillimi i grevës ndërsa kishte pasur takim vetëm me kreun e BSPK-së, Atdhe Hykollin, por pa ndonjë rezultat.
Sindikalistët kërkojnë nga 100 euro në muaj deri në miratimin e Ligjit për paga, ndërsa Qeveria e Kosovës, përmes një pakoje të prezantuar këtë fillim muaj kishte ofruar nga 50 euro deri në përfundim të këtij viti për të gjithë zyrtarët publikë.
Së fundmi, edhe përplasjet mes zyrtarëve qeveritarë dhe sindikalistëve ishin shpeshtuar dhe me fjalor më të rënduar duke hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit.
Greva në BSPK ka nisur më 25 gusht ndërsa vijoi edhe më 1 shtator kur duhej që nxënësit të ktheheshin në bankat shkollore. Përpos mësimdhënësve, edhe administrata komunale është në grevë duke refuzuar të kryejnë shërbime./21Media

Back to top button