Kurti priti në takim shefin e OSBE-së në Kosovë dhe ambasadorin e Zvicrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim shefin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport dhe ambasadorin e Zvicrës, Jurg Sprecher.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media ku thuhet se në këtë takim është diskutuar konkretisht rreth mbështetjes për krijimin dhe funksionalizimin e Zyrës për Kontrollin dhe Harmonizimin Gjuhësor brenda Zyrës së Kryeministrit, teksa Qeveria ka miratuar vendimin për krijimin e kësaj zyreje.

“Kjo zyrë do të punojë ngushtë me Zyrën e Komisionerit për Gjuhë në sigurimin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dhe do punësojë deri në 15 përkthyes, në mënyrë që ligjet dhe aktet nënligjore të paraqiten në të dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës me saktësi të plotë përkthimi. Me këtë angazhim të Qeverisë, po sigurojmë edhe sundimin e ligjit edhe zbatimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje bëhet e ditur se Kurti i falënderoi ambasadorët Davenport dhe Sprecher për bisedën, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit tonë./21Media

Back to top button