Kurti: Qeveria në përfundim të përgatitjeve për aplikimin për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë dhe çështje tjera aktuale ishin temat kryesore të takimit.
Kryeministri Kurti e falënderoi Lajçakk për angazhimin e tij në dialog, ndërsa ritheksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër.
Ai e njoftoi Lajçakun që Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria është e vendosur për sundimin e ligjit dhe e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar takim brenda javësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për të diskutuar për planin franko-gjerman.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti të martën, Lajçak, tha se nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të shfrytëzohet momentumi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai tha se deri në mars të vitit 2023 do të shohin se sa progres po bëhet në këtë proces dhe kah po shkon i njëjti./21Media
