Kurti reagon për djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit: Shpresoj ta dënojnë aktin QUINT-i dhe BE-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për djegien e lokalit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Kurti thotë se ky akt është kryer nga elemente kriminale në Zveçan, të cilët pikërisht më 8 mars kanë zgjedhur dhunën.

“Pikërisht me 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Ky duket të jetë “urimi” i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga strukura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhon”, ka shkruar Kurti.

Tutje, Kurti ka shtuar se Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për baraza dhe jo me dhunë e terror.

“Përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës. Kurse ndaj serbëve të Kosovës që vazhdojnë të përballen me dhunën fizike e psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme, është mbështetja e inkurajimi për të plotësuar deri në fund vullnetin e tyre. Shpresojmë që edhe ambasadorët e Quintit dhe shefi i Zyres së BE-së, z. Tomas Szunyog, do ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar”, ka shkruar Kurti në “Facebook”./21Media

Back to top button