Kurti: Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës

Mbrëmë, Policia e Kosovësnë bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë kanë parandaluar një sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake.
Lidhur me këtë kryesministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmi që do të mund të kishte ndodhur nga personi tek i cili iu gjet sasi e madhe armësh të sjellë nga Serbia, do të kishte pasoja të mëdha.
“Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste”, ka shkruar në Facebook.
Kurti ka shtuar se armatim i tillë i gjetur të premten ishte përdorur edhe në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan nga protestuesit serbë./21Media