Kurti tregon për dëmet në Skenderaj e Mitrovicë

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar për vizitën e tij në Skenderaj e Mitrovicë.
Kurti ka thënë se në Skenderaj janë rrënuar nëntë ura e në Llaushë thotë se ka vizituar një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula.
Ndërkohë për vërshimet në fshatin Lisicë të Mitrovicës, Kurti thotë, se sipas banorëve, shkak është shtyrja për afro 300 metra e rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në veri të qytetit.
Kurti ka thënë se ka mjaft kafshë të ngordhura dhe se ekziston rreziku edhe për epidemi.
“Në Skenderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula. Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura. Pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara. Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

11:29 – Kurti shkon në Skënderaj për të parë dëmet e shkaktuara nga vërshimet
Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm të nisura më 19 janar, disa qytete në Kosovë janë përballur me vërshime.
Nga vërshimet më të prekura janë komunat: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut dhe Istog.
Vërshimet kanë duke dëmtuar ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturën rrugore.
Me këtë rast kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe me ministrat Armend Mehaj dhe Elbert Krasniqi, vizituam Llaushën, për të parë afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Skënderajt, Fadil Nura.
“Sot me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe me ministrat z.Armend Mehaj dhe z.Elbert Krasniqi, vizituam Llaushën, për të parë afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet, që përveç ekonomitë familjare dhe bujqësia, edhe infrastruktura publike është në gjendje të rëndë, ku në disa zona është vështirësuar qarkullimi dhe furnizimet. Dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe ne fermën e pulave. Familjet e prekura dhe Skenderaj në tërësi, në këtë gjendje çfarë ndodhen pas përmbytjeve, kanë nevojë më shumë se kurrë për përkrahje nga niveli qendror, që të harrohet ajo që ndodhi e të nisim nga e para”, ka shkruar Nura përmes një postimi në “Facebook” ku edhe ka publikuar disa fotografi./21Media

Back to top button