Kurti i përgjigjet Osmanit për zgjedhjet: Nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor

(Lajm i përditësuar)
Kurti u çon ftesë partive opozitare për takim: Na duhet marrëveshje për presidentin, jo zgjedhje të përsëritura
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të ftojë në takim liderët e partive opozitare rreth çështjes së presidentit.
Kurti e konfirmoi se pret që javën e ardhshme të ketë takim me liderët e opozitës, pasi ftesat tha se do t’ua nisë qysh sot.
“Unë besoj që me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe qysh sot do t’u dërgoj ftesa për t’u takuar qysh në fillim të javës së ardhshme”, deklaroi Kurti.
Paraprakisht, ai tha se Kosovës tani më së paku i duhen zgjedhjet. Kurti theksoi se është e domosdoshme një marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e presidentit.
“Unë nuk kam se çfarë të shtoj prej konferencës për media që kam pasur para një jave dhe nuk besoj që është e nevojshme ta përsëris veten. Presidentja e Republikës është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër i vendit dhe unë besoj që kemi një çështje që tash ndodhet në Kushtetuese dhe theksi duhet të vihet tek fakti që vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk duhet ta përsërisim vitin 2025. Viti 2026 është vit i ri. Nuk është as e drejtë dhe as e dobishme që të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit dhe qytetarët presin prej nesh, stabilitet institucional e jo zgjedhje të përsëritura. Nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Kushtetueses dhe të fillojë Kuvendi të punojë. Zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tani se kush e ka shumicën dërmuese, Vetëvendosje ka fituar me 51 përqind dhe çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve dhe nuk besoj se na duhen zgjedhjet e reja për të pasur garë se a do ti kemi 80 deputetë”, tha Kurti.
Kurti i kundërpërgjigjet Osmanit për ditën e zgjedhjeve: KQZ kishte thënë se s’ka mundësi tjetër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur për deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, rreth 28 dhjetorit, datës në të cilën u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“A ia paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zotrit Kurtit duke ja dhënë datën 28 dhjetor…”, tha Osmani në një intervistë gjatë kësaj jave duke folur për acarimin e marrëdhënieve me Kurtin, i cili nuk e kandidatoi për një mandat të dytë në postin e së parës së shtetit.
Kurti për 28 dhjetorin tha se ka qenë alternativa e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për shkak se ato ka qenë e pamundur të mbahen më 21 dhjetor, edhe për shkak të sfidave teknike e logjistike për organizimin e tyre, të cilat i ka përmendur edhe KQZ.
“Zgjedhjet janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme, nuk ka qenë e mundur që të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga Sekretariati i KQZ-së që thotë se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për përmbushur afatet kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Prandaj nuk ka pasur mundësi tjetër për datë, përveçse 28 dhjetor. Nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, as kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha Kurti para gazetarëve.
Kurti: S’ka nevojë për zgjedhje, duhet marrëveshje me opozitën për zgjedhjen e presidentit
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se s’ka nevojë të shkohet në zgjedhje të reja, duke shtuar se është e domosdoshme që të arrihet një marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Vitin e kaluar ka pasur 4 palë zgjedhje. S’kemi nevojë ta përsërisim. S’është e drejtë as e dobishme që të kemi zgjedhje të përsëritura. Është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Kurti.
Kurti ndër të tjera tha se është e nevojshme që të jetë sa më parë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“S’ka nevojë për zgjedhje të reja të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Kushtetueses që Kuvendi të fillojë të punojë”, deklaroi kryeministri sot nga ambientet e QKUK-së.
Burime të RTV21 brenda Gjykatës kanë bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme, Kushtetuesja pritet të fillojë shqyrtimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit./21Media