Kurti sonte pret në takim zyrtarin e lartë të DASh-it, Brendan Hanrahan

(Lajm i përditësuar)


Kurti sonte pret në takim zyrtarin e lartë të DASh-it, Brendan Hanrahan

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sonte në mbrëmje në Prishtinë me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti do të takojë sot në mbrëmje zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, në një darkë pune të shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Prattipati”, ka thënë Kryeziu.

Ndihmës sekretari i Shtetit Hanrahan, para mbërritjes në Kosovë, ka vizituar Serbinë, ku është takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka theksuar se në takim ka ripërsëritur qëndrimin e Serbisë për dialog si mënyrë të vetme për zgjidhjen e çështjeve me Kosovën dhe ka potencuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Presidentja Vjosa Osmani kishte zhvilluar takim me Hanrahanin para tre ditësh në Washington. /21Media


Zyrtari i Lartë i DASH sot nis vizitën në Kosovë – kë pritet ta takojë

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Europiane, Brendan Hanrahan, do të nisë sot në Kosovë vizitën e tij zyrtare në rajon.

Pas Kosovës, Hanrahan do të vizitojë edhe Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Për këtë vizitë ai ka njoftuar vetë në profilin e tij në X, i cili tha se po vjen në rajon në një kohë të rëndësishme.

“Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Uashington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon”, ka shkruar ai më 9 korrik.

Vizita e tij në Kosovë pasohet nga një takim që ai pati me presidenten Vjosa Osmani në Washington.

Osmani pas takimi shkroi se me zyrtarin e lartë të DASH kanë ritheksuar “përkushtimin tonë për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë. Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim”, tha ajo.

Sot në Prishtinë Hanrahan do të pritet në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Zyrtari i lartë amerikan gjatë qëndrimit në Kosovë pritet të takohet edhe me përfaqësues dhe liderë nga partitë parlamentare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i pyetur nga KosovaPress, të enjten, konfirmoi takimin, mirëpo shtoi që për shkak të një udhëtimi të tij, LDK-në do ta përfaqësojë në takim nënkryetarja, Hykmete Bajrami.

Po ashtu, vizita e tij në rajon vjen në kohën kur në Bonjë e Hercegovinë u shënua 30-vjetori i gjenocidit serb.

Back to top button