Kurti sot duhet të paraqitet në Prokurori

Qeveria nuk ka dhënë sinjale nëse kryeministri Albin Kurti do të shkojë në Prokurorinë Speciale, të martën, për të dhënë dëshminë tij pas një urdhri të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se nëse Kurti refuzon edhe urdhrin e Gjykatës ai mund të dënohet me gjobë ose me burgim prej një muaji. Sipas tyre, mund të jetë edhe një alternativë ligjore referuar kodit të procedurës penale, sipas të cilit, Prokuroria Speciale mund ta autorizojë Policinë që të ndërmarr këtë veprim hetimor.

Sot në orën 10:00 kryeministri Albin Kurti është paraparë që të jap dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës, të paktën kështu është urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por ajo që dihet deri më tani është që Qeveria e Kosovës ka thënë se kryeministri Kurti është i gatshëm që ta jap dëshminë e tij vetëm në hapësirat e Qeverisë.

Ndërkohë, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, duke interpretuar procedurat ligjore tha se nëse as të martën kryeministri Kurti nuk paraqitet në Prokurori Speciale për të dhënë dëshminë, rrezikon gjobë prej 250 euro ose burgimin prej një muaji nëse vazhdon të refuzojë.

“Tani më Gjykata e ka urdhëruar Kurtin që të dëshmojë në Prokurorinë Speciale, ajo që mbetët është që Kurti t’i përgjigjet këtij urdhri. Nëse përkundër kësaj prapë se prapë kryeministri nuk shkon të dëshmojë siç ka urdhëruar Gjykata më pastaj Gjykata mund të filloj shqiptimin e gjobave në vlerës 250 euro. Nëse i njëjti përsëri vazhdon që të refuzon që të dëshmojë i njëjti mund të burgoset deri në kohëzgjatjen prej një muaji”, tha Shala për rtv21.

Pas urdhrit të Gjykatës që Kurti të paraqitet të martën në Prokurori për të dhënë dëshminë tij në rastin e rezervave shtetërore, Qeveria përmes një reagimi ka thënë se kryeministri nuk ka refuzuar asnjëherë që të jap dëshminë, por Qeveria i ka kërkuar Gjykatës që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar brenda zyrës së kryeministrit.

Duke parë këtë përplasje midis institucioneve, avokati Ardian Bajraktari, vlerëson se sipas kodit të procedurës penale parashihet edhe një alternativë tjetër për të ndërmarr veprime hetimore për këtë çështje.

“Vlerësoj se njëra nga alternativat do të mund të ishte zgjidhje ligjore në referencë të nenin 118 paragrafi 1 kodit të procedurës penale sipas të cilit Prokuroria Speciale mund ta autorizoj Policinë të ndërmarr këtë veprim hetimor, në rast se eventualisht ka vullnet për ta bërë një gjë të tillë dhe natyrisht të tejkalohet kjo situatë për faktin se është një sinjal jashtëzakonisht shumë i keq, është një shpërfillje e keqe që iu bëhet institucioneve të vendit nga kryeministri i cili do të reflektonte të kundërtën e saj që është duke bërë në këtë çështje”, tha Bajraktari për rtv21.

Televizioni i është drejtuar tri institucioneve të përfshira në këtë çështje, Gjykatës Themelore në Prishtinë, Prokurorisë Speciale dhe Qeverisë nëse mund të ketë një marrëveshje sa i përket vendit se ku mund ta marrë dëshminë e Kurtit prokurori i procedurës paraprake, por deri më tash nuk kemi marrë përgjigje.

Njohësit e sistemit të drejtësisë vlerësojnë se një vend që udhëhiqet prej parimeve të qeverisjes së mirë dhe të sundimit të ligjit, dhënia e dëshmisë së kryeministrit në Prokurori do të duhej që të shihet si diçka plotësisht normale.

“Është e qartë në rastin konkret që është ftuar që të dëshmoj në Prokurorinë Speciale dhe nuk ka arsye ligjore që të dëshmoj diku tjetër. Përderisa nuk ka arsye të qarta ligjore se mund të dëshmoj diku tjetër jashtë objekteve të Prokurorisë Speciale, as Prokuroria Speciale nuk duhet që të lejoj këtë tallje nga ana e kryeministrit, por duhet të tregojë autoritetin e saj ligjor për brenda kompetencave që ia jep ligji”, tha Shala.

“Është për keqardhje se në cfarë gjendje ka ardhë kjo cështje për faktin se siç dihet cdo qytetar i vendit që thirren nga Prokuroria për të dëshmuar është i obliguar që ti përgjigjet thirrjes në dispozitë të kodit të procedurës penale”, tha Bajraktari.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më tash Prokuroria Speciale i ka dërguar gjithsej tri ftesa kryeministrit Kurti që të jap dëshminë e tij në hapësirat e prokurorisë, por të gjitha ishin refuzuar nga Kurti duke i kërkuar prokurorëve që dëshminë e tij ta marrin në Qeveri.

Prokuroria po kërkon dëshminë e Kurtit në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore në të cilat është implikuar edhe ministrja e Tregtisë Rozeta Hajdari. Përveç ministres e cila ishte intervistuar në Prokuroria, ishte bastisur ministria që ajo drejton dhe ishin arrestuar disa zyrtarë nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve në të cilat pretendohet se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë në Kosovë. Ngjashëm, as rezervat e grurit./RTV21/21Media

 

Back to top button